Përfundon protesta paqësore në Zveçan

Milosavljeviq tha se po protestojnë në mënyrë paqësore dhe se kërkesat janë të njëjta, forcat speciale të policisë të largohen nga objektet e komunave në veri të Kosovës dhe kryetarët e rinj, siç tha ai, “të rremë” të mos vijnë në objektet komunale

Në Zveçan ka përfunduar zyrtarisht protesta paqësore e qytetarëve, ndërsa misioni paqeruajtës ndërkombëtar i NATO-s në Kosovë (KFOR) vazhdon të sigurojë ndërtesën e komunës, raporton Anadolu.

Qytetarët, në numër dukshëm më të ulët se dje, përfunduan protestën në ora 16:00.

Ushtarët e KFOR-it me pajisjet e tyre kanë formuar një kordon rreth 50 metra larg ndërtesës së komunës, ku kanë vendosur edhe gardhe metalike.

Në ndërtesën e komunës ndodhen edhe pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës, të cilët të premten kanë ndihmuar në hyrjen e kryetarit të sapozgjedhur, Ilir Peci, në ndërtesën e komunës. Peci sot nuk ka ardhur në komunë.

Ekipet e kompanisë së pastrimit gjatë ditës kanë pastruar rrugën në zonën përballë komunës.

Para përfaqësuesve të mediave ka folur ish-kryetari i Këshillit të Komunës së Zveçanit, Srgjan Milosavljeviq, i cili tha se qytetarët po protestojnë në mënyrë paqësore dhe se kërkesat janë të njëjta, që forcat speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga objektet e komunave në veri të Kosovës dhe kryetarët e rinj, siç tha ai, “të rremë” të mos vijnë në objektet komunale.

Ai po ashtu tha se kërkojnë lirimin e dy bashkë-qytetarëve të tyre të cilët u arrestuan dje, si dhe u bëri thirrje qytetarëve në komunat në veri të Kosovës, me shumicë serbe, të mblidhen në numër edhe më të madh për të shprehur pakënaqësinë e tyre për situatën e krijuar.

Në përleshjet e djeshme mes demonstruesve dhe trupave të KFOR-it janë lënduar 30 ushtarë ndërkombëtar, si dhe dhjetëra demonstrues.

Sot, protesta paqësore u mbajtën edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës njoftoi se dje “demonstruesit, individët dhe grupet kriminale me dhunën e tyre ekstreme” kanë shkaktuar përshkallëzim dhe degradim të situatës së sigurisë në veri të vendit, duke rrezikuar jetën e njerëzve, përfshirë edhe jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.

Kategoritë
LajmeVendi