“Përgjegjësit e sulmit ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan, duhet të mbahen përgjegjës”

Misioni i NATO-s në Kosovë KFOR-i ka kërkuar edhe një herë që autorët e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it gjatë protestave të Zveçanit një vit më parë, të mbahen përgjegjës.

Në një njoftim të KFOR-it, në njëvjetorin e trazirave në Komunën e Zveçanit në veri të Kosovës, KFOR-i ka thënë se sulmi ndaj pjesëtarëve të tij ishte i papranueshëm.

“Sot ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e partnerëve tanë, të cilët e vunë jetën në rrezik, për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e misionit tonë në OKB. Guximi i tyre ndihmoi të stabilizohej situata në zonë dhe të parandalojë përshkallëzimin e mëtejmë”, ka thënë komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutaş.

KFOR-i tha se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës.

Sipas njoftimit, pas dhunës që shpërtheu në veri, NATO-ja ka dislokuar rreth 1.000 ushtarë shtesë dhe ka sjellë forca të blinduara shtesë në Kosovë. Po ashtu, është rritur prania e KFOR-it në veri e janë shtuar patrullimet, përfshirë ato në kufi.

“Angazhimi ynë për të kontribuar për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal është i palëkundur. KFOR-i vazhdon të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe paqësor në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, shtoi Ulutaş.

Në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe, tensionet u rritën vitin e kaluar pasi Policia e Kosovës asistoi që në ndërtesat komunale të hynin kryetarët e zgjedhur shqiptarë. Një gjë e tillë u kundërshtua nga popullata vendase serbe, e cila nuk pranoi rezultatet e zgjedhjeve lokale të prillit 2023, votime të cilat i bojkotoi.

Më 29 maj situata u përshkallëzua me përballje fizike, kur serbët lokalë u përleshën me pjesëtarë të KFOR-it. Me këtë rast u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve morën lëndime të rënda.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi