Qeveria siriane dhe Forcat Demokratike Siriane (SDF) kanë arritur një marrëveshje që eliminon mundësinë e një rajoni autonom dhe konfirmon integritetin territorial të Sirisë.
Me këtë marrëveshje, të gjitha organet civile dhe ushtarake në verilindje të Sirisë do të integrohen në administratën shtetërore, përfshirë pikëkalimet kufitare, aeroportet dhe objektet kyçe të energjisë si fushat e naftës dhe gazit.
Sipas deklaratës së zyrës së presidentit Ahmad Al-Share, marrëveshja siguron që të gjithë qytetarët sirianë të kenë të drejtën e përfaqësimit politik dhe pjesëmarrjes në institucionet shtetërore.
Njëkohësisht, është konfirmuar mbështetja ndaj shtetit sirian në luftën e tij kundër kërcënimeve të mbetura për sigurinë dhe unitetin e vendit.
Një nga pikat kyçe të marrëveshjes lidhet me marrjen në kontroll të burgjeve dhe kampeve ku mbahen anëtarët e ISIS-it, të cilat deri më tani ruheshin nga forcat e SDF-it. Qeveria siriane do të marrë kontrollin e plotë mbi këto objekte, ndërsa vendet e rajonit, të cilat më herët mbajtën një takim në Aman, do t’i ofrojnë Damaskut mbështetje për sigurimin e këtyre kampeve.
Për më tepër, qeveria siriane ka theksuar se marrëveshja garanton kthimin e të gjithë sirianëve të zhvendosur në shtëpitë e tyre, me mbrojtje të plotë nga shteti. Gjithashtu, ajo refuzon çdo thirrje për ndarje, përhapje të urrejtjes dhe nxitje të konflikteve mes komuniteteve të ndryshme etnike dhe fetare në Siri.
Sipas njoftimit zyrtar, duke filluar nga nesër në mëngjes, qeveria siriane do të marrë kontrollin e pikëkalimeve kufitare, burgjeve, aeroporteve dhe bazave ushtarake në territoret që deri më tani ishin nën kontrollin e SDF-it.