Përmbytet qyteti Nova Kakhovka në afërsi të hidrocentralit Kakhovka

Niveli në lumin Dnipro është rritur me shpejtësi për shkak të dëmeve të rënda nga bombardimi i digës Kakhovka

Qyteti Nova Kakhovka ka mbetur nën ujë, ndërsa qytetarët po evakuohen pas shembjes së digës dhe hidrocentralit Kakhovka në Ukrainë si pasojë e bombardimit, transmeton Anadolu.

Niveli në lumin Dnipro është rritur me shpejtësi për shkak të dëmeve të rënda nga bombardimi i digës Kakhovka i cili ndodhet nën kontrollin e rusëve në rajonin Kherson të Ukrainës.

Teksa qendra e qytetit Nova Kakhovka në rajon është përmbytur duke mbetur nën ujë, në pamjet e ardhura nga rajoni vërehet se niveli i ujit ka arritur deri në katin e dytë të ndërtesave.

Zyrtarët rus kanë marrë vendim për evakuimin e qytetit, i cili para luftës ka pasur një popullsi prej rreth 44 mijë banorë, si dhe për rajonet Golopristanskiy dhe Aleshki të prekura nga përmbytjet.

Vladimir Leontyev, i ashtuquajturi zyrtar i Nova Kakhovka, ka shprehur se riparimi i digës Kakhovka është i pamundur, se ajo duhet të rindërtohet dhe se niveli i ujit përreth digës ka kaluar mbi 10 metra.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka pohuar se dëmi në hidrocentral ka ndodhur si pasojë e sabotazhit të Ukrainës, ndërkohë zyrtarët ukrainas kanë theksuar se përgjegjës për incidentin është Rusia.

Kategoritë
BotaLajme