Në përmbytjet në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë humbur jetën të paktën 19 persona, ndërsa ende kërkohen midis 10 dhe 15 të zhdukur.
“Ende jemi në kërkim të midis 10 dhe 15 personave,” konfirmoi për agjencinë Fena, Darko Juka, shefi i Departamentit për Marrëdhëniet me Publikun të Qeverisë së Kantonit Hercegovinë-Neretvë.
Ai theksoi se komunikimi rrugor midis Mostarit dhe Jabllanicës është vendosur, por vetëm për automjetet e shërbimeve të shpëtimit dhe për rastet emergjente.
“Të gjitha shërbimet janë në terren, pa ndërprerje,” tha Juka, duke shtuar se në terren janë edhe rreth 300 vullnetarë, kryesisht në Jabllanicë.
Ai gjithashtu bëri apel që të mos shkohet në zonat e prekura pa iniciativë personale.
“Kushdo që dëshiron të ndihmojë në çfarëdo mënyre, duhet të kontaktojë qendrat operative të mbrojtjes civile,” shtoi Juka.
Personat që kanë mbetur pa shtëpi janë vendosur në hotelet lokale dhe në Shtëpinë e Pleqve në Jabllanicë, ndërsa shumica kanë gjetur strehim tek miqtë dhe të afërmit në apartamente dhe shtëpi në Jabllanicë dhe Konjic.