Përmbytjet në Bosnjë e Hercegovinë, rritet në të paktën 21 numri i viktimave

Sipas informacione jo zyrtare, të paktën 21 persona kanë humbur jetën si pasojë e përmbytjeve katastrofike dhe rrëshqitjeve të dheut në Bosnjë e Hercegovinë, raporton Anadolu.

Sipas burimeve policore, të paktën 17 persona kanë humbur jetën në Jabllanicë, ku mediat kanë raportuar se ka vdekur edhe një grua shtatzënë.

Sipas informacioneve të fundit, tre persona kanë humbur jetën në Fojnicë, ndërkohë më herët u njoftua se në një shtëpi në Fojnicë ka humbur jetën edhe një grua e moshuar. Po ashtu edhe në Gojevicë afër Fojnicës, gjatë ditës së djeshme është nxjerrë trupi i një burri nga një prej veturave të përmbytura.

Reshjet e shiut në zonën e komunave Jabllanicë, Konjic, Kisjelljak, Fojnicë dhe Kreshevë kanë shkaktuar probleme të mëdha për banorët.

“Për shkak të përmbytjeve të mëdha dhe rrëshqitjeve të dheut, një popullsi e madhe është në rrezik, me informacione se ka viktima dhe një numër i madh i të plagosurve dhe të zhdukurve”, njoftoi Administrata Federale e Mbrojtjes Civile.

Numri i viktimave mund të jetë më i lartë pasi, sipas zyrtarëve, operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë ende për disa dhjetëra njerëz në Hercegovinën veriore, por edhe në Bosnjën qendrore.

Kategoritë
BotaLajme