Një protestë e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës do të mbahet të mërkurën në Prishtinë. Sindikalistët po kërkojnë rritje të pagave dhe nënshkrim të kontratës kolektive.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se protesta do të mbahet në orën 12:30 dhe përmes saj kërkojnë edhe diskutim me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Protesta do të nisë në oborrin e Bibliotekës Kombëtare prej ku do të marshohet drejt Ministrisë së Arsimit.
Sipas Jasharajt, nëse protestuesit nuk do marrin përgjigje nga Nagavci, ata do vazhdojnë marshin te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Ata nuk përjashtojnë mundësinë e grevës, nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
“Nëse kjo protestë nuk ndikon që Qeveria të reflektojë, e sidomos ministrja Nagavci, e të ulemi të negociojmë dhe pastaj edhe të nënshkruajmë kontratën e re kolektive të arsimit, atëherë Këshilli Drejtues dhe organet e tjera udhëheqëse të SBASHK-ut do ta analizojnë situatën dhe do marrim vendime për veprime të tjera sindikale, duke e mos përjashtuar edhe grevën e përgjithshme në tërë sektorin e arsimit, e SBASHK-u uron dhe lutet që Qeveria të reflektojë dhe kurrë të mos përsëritet shtatori i vitit 2024 në grevën e përgjithshme”, deklaroi ai.
Sekretari i përgjithshëm, Ymer Ymeri tha se do të kërkojnë që Nagavci të flasë me protestuesit.
“Do kemi një kërkesë që ministrja Nagavci të del me një prononcim para protestuesve të arsyeton mos-nënshkrimin e kontratës kolektive dhe largimin e të gjithëve përfaqësuesve të punëtorëve që kanë qenë në komisione të ndryshme, siç ka qenë Këshilli shtetëror për licencimin e mësimdhënësve që ka pasur 15 anëtarë, ku e kanë larguar të vetmin përfaqësues të SBASHK-ut aty…Presim që ministrja të pranojë një delegacion me 4-5 vetë që të ulemi në zyrë dhe të bisedojmë, nëse kjo nuk ndodhë deri në orën 13:30 pastaj ne vazhdojmë me marsh drejt ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit, aty do ju drejtohemi me kërkesa edhe atyre”,tha Ymeri.
SBASHK-u tha se pas protestës do të japin një afat të caktuar për qeverinë që sipas tyre të “reflektojnë” në vendimet e tyre.