Mbi 1 milion e 300 mijë euro ka dhënë Kuvendi i Komunës së Prishtinës për rekonstruimin e dy rrugëve në kryeqytet, “Rexhep Luci” dhe “Qamil Hoxha”, duke tejkaluar kështu vlerën e parashikuar të kontratës
Me këtë kontratë, që kap vlerën totale 1 milion e 338 mijë e 169 mijë euro, është shpërblyer konsorciumi “FLAMURI SH.P.K; Benita Company Sh.p.k”. Në këtë të fundit, bashkëpronar është edhe Nexhat Kalludra, burri i ish-deputetes së LDK’së, Mirjeta Kalludra, shkruan Reporteri.net.
Sipas regjistrit të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, ai ka aksione në këtë kompani në vlerë prej 356 mijë e 75 euro.
Kontrata tashmë është nënshkruar, e punimet parashihet të zgjasin 120 ditë.
Tek dosja e tenderit, janë disa specifikime për mënyrën se si duhet të kryhen punimet.
“Para fillimit të punimeve, në vend të përshtatshëm dhe të dukshëm të vendndërtimit duhet të vendosen, instalohen, hapësirat e përkohshme (së paku dy kontejner, zhveshtore, toalete me duarlares për nevoja të stafit gjatë orarit të punës dhe tërë periudhës së ekzekutimit të punimeve) të O.E për punë, siguri dhe shëndet në punë, gjatë ekzekutimit të punimeve nga fillimi deri në përfundim të tyre. Kontraktori duhet të vendos zyre të përkohëshme ( së paku një Kontejner) për nevoja të operimit dhe organizimit të punës për stafin e inxhiniereve si dhe për nevoja të mbajtjes dhe ruajtjes së dokumentacionit”, theksohet në dosje.
Poashtu thuhet edhe se operatori ekonomik duhet që të bëjë llogarinë, që në çmimin e ofruar për secilin pozicion, në të cilin është specifikuar kualiteti i punës që duhet të ofrohet , duhet të parashikoj ofrimin e dëshmive (Dokumentacionit) të cilat e dëshmojne kualitetin e punës dhe kualitetin e materialit që është ekzekutuar në vend.
Aty theksohet edhe stafi professional duhet të jetë prezent çdo ditë në realizim të projektit dhe komunikimi në mes Ekipit të Komunës së Prishtinës dhe Operatorit Ekonomik duhet të bëhet vetëm me stafin profesional të operatorit ekonomik.
“Pra në varësi se çfarë pozicioni është duke u realizuar në teren, njëjtën kohë OE duhet të ketë stafin prezent adekuat, për të ofruar sqarimet që kërkohen nga grupi menaxhues”, thuhet në dosje.
“Operaratori ekonomik duhet të e ketë të kjart që asnjë pozicion nuk do të filloj, pa marr APROVIM ME SHKRIM, nga ana ekipit menaxhues të projektit të caktuar nga Komuna e Prishtinës. Pra pozicioni i përfunduar sipas procesit që parashikon projekti, duhet të kontrollohet mandej duhet të vazhdohet me zbatimin e pozicionit tjetër në vazhdim”, thuhet tutje në dosje.