“Jud, çohu nënë, të solla petë (makarona)”, ishin thirrjet e nënës që pikëlluan ata që e panë këtë moment
Përpjekjet e nënës për të ringjallur djalin e saj gjashtëvjeçar, Jud Merish, duke i bërë masazh në zemër pasi ai kishte humbur jetën si pasojë e bombardimeve të Izraelit ndaj një shkolle ku ishin të strehuar persona të zhvendosur në qytetin Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës, i pikëlloi dëshmitarët përreth, raporton Anadolu.
Merish, i cili u plagos rëndë dje në sulmin ajror izraelit që shënjestroi civilët e mbledhur para shkollës ku ishin strehuar të zhvendosurit në qytetin Deir al-Balah, humbi jetën pavarësisht të gjitha përpjekjeve të bëra në Spitalin Dëshmorët e Aksa-së ku ai u soll për trajtim.
“Jud, çohu nënë, të solla petë (makarona)”, ishin thirrjet e nënës që pikëlluan ata që e panë këtë moment.
Nëna e pikëlluar nuk u mjaftua me këtë, por e përqafoi fëmijën e saj me të gjitha forcat dhe u përpoq ta shkundte me shpresën për ta rikthyer në jetë. Më pas, nëna palestineze u ul në tokë dhe filloi të fliste e dëshpëruar me trupin e djalit të saj.
Nëpër spital u dëgjuan britmat e nënës e cila puthi fytyrën e djalit të saj me butësi dhe përzemërsi duke lotuar.
As të afërmit e saj nuk patën sukses që të bindnin nënën, e cila nuk donte të ndahej nga i biri dhe e shtrëngonte fort pas trupit të saj.
Sipas dëshmitarëve, nëntë palestinezë humbën jetën në vendin e sulmit në fjalë ku avionët zbulues izraelitë shënjestruan dje civilët që ishin mbledhur para shkollës Manflauti.