Përplasja për “të shtënat në Ujman”, Ramadani i përgjigjet Sveçlës, i thotë se ka ikur nga barka për shkak të rafaleve të armës

Ish kryeinspektori i AKI’së, Burim Ramadani, i është përgjigjur ministrit Sveçla pasi ky i fundit tha se nuk është e vërtetë deklarata e Ramadanit se Sveçla është sulmuar në Liqenin e Ujmanit.

Sveçla ka thënë se nuk është sulmuar asnjëherë as me kallash dhe as me ndonjë metodë tjetër. Ai shtoi se po i reagon kësaj “gënjeshtre” për shkak të pozitës që Ramadani ka pasë në AKI.

“Dje në një paraqitje televizive, ish kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadani paska deklaruar diçka që aspak nuk është e vërtetë. Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me Ak 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me Kryeshefin e Ibër Lepencit dhe shefin e NjNSh-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë, por ka qenë edhe shumë produktive. Unë as nuk do të reagoja ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore. Sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk na frikësojnë as nuk na zmbrapsin. Unë veç lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje. Edhe po, shkoj shpesh edhe te Kukësi, Tropoja, Hasi e Dragashi, se e kam një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje!”, ka shkruar Sveçla.

Ndërkaq Ramadani ka thënë se është “rrënqethur nga fryma patriotike e amanetit të Xhelal Sfeçlës”, derisa ka shtruar një pyetje “veç nuk e di ku të pati mbetur amaneti gjatë luftës”.

“Besoj që pate dezertuar apo jo? Apo ndoshta trimërisht e ke zbatuar “planin taktik IBSTL”?! Njëjtë më rrënqeth edhe pasioni i një të afërmit tënd që, në emër tënd, guxon të merr në pyetje tjerët. Madje, më rrënqethin edhe ata dëshmitarë që kanë qenë aty dhe s’kanë bërë zë! Por, nuk është tema kjo pjesë!”

Ramadani ka thënë se puna e tij në AKI “ka përfunduar me nder dhe falënderim publik më 21 dhjetor 2022”.

Ai ka thënë se Sveçla nuk ka verifikim të sigurisë.

“Tek e fundit, nuk ke Verifikim të Sigurisë ti për të ditur gjë për punën time! Je Ministër i Punëve të Brendshme, por kurrë nuk ke njoftuar nëse i je nënshtruar Verifikimit të Sigurisë, gjë që Ligji e kërkon qartësisht dhe pa asnjë dilemë! Sepse, vetëm Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kuvendit nuk kanë nevojë për Leje të Sigurisë! Ti duhesh! Nënshtroju Verifikimit të Sigurisë, sepse shteti duhet të të Verifikojë.  Duhet të dihet kush je ti!  Jo pse po aludoj gjë, por Ligjit i nënshtrohemi të gjithë njësoj! Unë për dallim nga ti, si zëvendës-ministër iu pata nënshtruar Verifikimit të Sigurisë. Sidoqoftë, nuk besoj që ndonjëherë në jetë kam fabrikuar gjë.”

Ramadani ka shkruar se “ikja nga rafalet e armës afër barkës nuk mund të komentohet si veprim trimërie e lavdie”

“Shumë ende të përqeshin me reagimin, fatkeqësisht!”

Në fund Ramadani e ka pyetur Sveçlën se kur do të hapet Ura e Ibrit dhe i ka thënë ta bëjë sigurimin shëndetësorë për policët e Kosovës.

Deklarata e Burim Ramadanit në Pressing:

“Ne e kemi dhe është e konfirmuar, nëse jo le të del ministri i Brendshëm dhe ta demantojë. Në fillim të korrikut e kanë gjujtë ne Ujman, e kanë gjujtë me kallash edhe ka ikë. Bile po bëjnë hajgare po thonë në Kukës ka shku. Ka qenë me barkën e vogël me polici dhe prej anës tjetër e kanë gjujtë me kallash edhe janë largu kanë ikë”, tha Ramadani në “Pressing”.

Kategoritë
LajmeVendi