Ministri i Jashtëm i Izraelit, Gideon Sa’ar, reagoi ashpër ndaj presidentit turk Recep Tayyip Erdogan pasi ky i fundit, gjatë faljes së Bajramit, shprehu dëshirën që Izraeli të shkatërrohet.
Dy vendet tashmë ishin në përplasje gjatë fundjavës, pasi Turqia kritikoi sulmet ajrore izraelite në Liban, të cilat u kryen si përgjigje ndaj raketave të lëshuara drejt veriut të Izraelit.
Pasi vizitoi një xhami me rastin e Bajramit, Erdogan u shpreh para besimtarëve:
“Po e shohim çfarë po ndodh në Palestinë. Le ta shkatërrojë Allahu Izraelin sionist në emrin e Tij të shenjtë!”
Ai shtoi gjithashtu:
“Duhet të jemi të bashkuar, të fortë dhe vëllazërorë. Allahu e forcoftë gjithmonë unitetin tonë.”
Reagimi nga Izraeli:
Gideon Sa’ar shkroi në platformën X:
“Diktatori Erdogan sapo zbuloi fytyrën e tij të vërtetë antisemitike. Ai është i rrezikshëm për rajonin dhe për popullin e tij. Shpresoj që vendet anëtare të NATO-s ta kuptojnë këtë sa më shpejt.”
Kjo përplasje erdhi pas shkëmbimit të deklaratave mes ministrive të jashtme të dy vendeve. Të premten, dy raketa u lëshuan nga territori libanez drejt veriut të Izraelit. Edhe pse Hezbollahu mohoi përgjegjësinë, Izraeli ndërmori sulme ndaj disa objektivave, përfshirë edhe kryeqytetin Bejrut.
Këto sulme u dënuan nga Libani, Franca, OKB-ja dhe Turqia.
Ministria e Jashtme e Turqisë:
“Sulmet janë shkelje e marrëveshjes për armëpushim midis Izraelit dhe Libanit. Ato zbulojnë edhe një herë mosrespektimin e ligjit ndërkombëtar nga Izraeli dhe kërcënimin që ai paraqet për sigurinë dhe stabilitetin rajonal.”