Përplasje mes Richard Grenell dhe Alfred Lelës pas akuzave për lobim në favor të Ramës

Richard Grenell, i dërguari i posaçëm i ish-Presidentit amerikan Donald Trump për misionet speciale, si dhe djali i presidentit, Donald Trump Jr., janë përfshirë në një debat publik me drejtorin e zyrës së shtypit të Partisë Demokratike, Alfred Lela.

Përplasja erdhi pas një shkrimi të publikuar në media shqiptare, ku Grenell konsiderohej si lobist i padeklaruar i kryeministrit Edi Rama.

Sipas raportimeve, Grenell dyshohet se ka tentuar të përfshijë një ndalesë në Tiranë në axhendën e vizitës së Donald Trump Jr., me qëllim një takim me kryeministrin Rama.
Ky pretendim ka nxitur një reagim të menjëhershëm nga Grenell, i cili ka mohuar kategorikisht akuzat përmes një postimi në rrjetet sociale, ku bashkëngjiti edhe shkrimin në fjalë.

“I dashur Alfred Lela, e kuptoj që jeni disa ditë larg një zgjedhjeje të rëndësishme. E kuptoj që emocionet janë të larta. Zgjedhjet tuaja i kam parë në heshtje, sepse Shqipëria është një aleate e rëndësishme dhe e besuar e Amerikës në NATO (dhe një nga vendet e mia të preferuara për të vizituar dhe për të pushuar). Por kjo histori nga media juaj është një gënjeshtër TOTALE. Duhet të korrigjohet menjëherë dhe të hiqet nëse ju interesojnë faktet”, ka shkruar Grenell.

Në mbështetje të tij ka reaguar edhe Donald Trump Jr., i cili ripostoi deklaratën e Grenell në Twitter.

Trump Jr. ndodhet aktualisht në një tur vizitash në rajon dhe pak ditë më parë zhvilloi një takim në Beograd me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Kategoritë
LajmeRajoni