Turqia të enjten dënoi deklaratat e fundit të ministrave izraelitë drejtuar Ankarasë, duke i cilësuar ato si “provokuese” dhe si pasqyrim të asaj që e përshkroi si “politikë agresive dhe ekspansioniste” të qeverisë izraelite.
Në një deklaratë, Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë theksoi se kjo retorikë “jo vetëm që zbulon gjendjen mendore të tyre, por gjithashtu pasqyron karakterin fundamentalist dhe racist të administratës aktuale izraelite”.
Ministria pyeti pse Izraeli ndihet i shqetësuar për zhvillimet në Siri dhe Liban, të cilat “sjellin shpresë të madhe për paqe, stabilitet dhe mirëqenie në rajonin tonë dhe që janë mbështetur nga bashkësia ndërkombëtare”.
Gjithashtu, Turqia dënoi një seri sulmesh ajrore dhe tokësore të kryera nga forcat izraelite gjatë natës së 2 prillit në Siri.
“Nuk ka pasur asnjë provokim apo sulm të drejtuar ndaj Izraelit nga territori i Sirisë”, thuhet në deklaratë, duke shtuar: “Këto sulme të njëkohshme tregojnë një qasje të politikës së jashtme që ushqehet nga konfliktet”.
Në deklaratë theksohet se retorika e zyrtarëve izraelitë e drejtuar ndaj Turqisë synon të largojë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga veprimet e forcave të tyre në Gaza dhe Bregun Perëndimor.
“Ata nuk mund ta fshehin realitetin e asaj që po bëjnë në Gaza, luftën që po zhvillojnë kundër popullit palestinez, dhunën e paligjshme të kolonëve (izraelitë) dhe synimin për të aneksuar Bregun Perëndimor”, u theksua.
“Izraeli është bërë kërcënimi më i madh për sigurinë e rajonit tonë”, thuhet në deklaratë, në të cilën Tel Avivi akuzohet për minimin e integritetit territorial të vendeve fqinje dhe nxitje të paqëndrueshmërisë.
Turqia më tej i bëri thirrje Izraelit që “të heqë dorë nga politika e tij ekspansioniste, të tërhiqet nga territoret e okupuara dhe të ndalojë pengimin e përpjekjeve për vendosjen e stabilitetit në Siri”.
Në deklaratë gjithashtu u bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që të përmbushë përgjegjësinë e tij “për të frenuar aktet gjithnjë e më të pakontrolluara të agresionit izraelit”.
Avionët luftarakë izraelitë kanë kryer një seri sulmesh ajrore në disa vende në kryeqytetin Damask si dhe në provincat perëndimore Hama dhe Homs të mërkurën.
Ushtria izraelite pretendoi se sulmet goditën “kapacitetet e mbetura ushtarake” në bazën ajrore Hama dhe në bazën T4 në Homs, së bashku me infrastrukturë tjetër ushtarake në Damask.
Ushtria izraelite gjithashtu nisi një ofensivë tokësore në Darai në jug të Sirisë, ku, sipas autoriteteve lokale, janë vrarë të paktën nëntë persona.
Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Asadit në dhjetor, Izraeli ka zgjeruar okupimin e tij në Lartësitë Golan duke pushtuar zonën e demilitarizuar tampon, gjë që përbën shkelje të marrëveshjes për ndarjen e forcave të vitit 1974 me Sirinë.
Izraeli gjithashtu ka shfrytëzuar rrëzimin e regjimit për të nisur qindra sulme që kanë pasur në shënjestër lokacione dhe pajisje ushtarake në të gjithë Sirinë, përfshirë avionë luftarakë, sisteme raketore dhe instalime kundërajrore, sipas raporteve.