Paneli i pavarur amerikan i ekspertëve paralajmëroi se përdorimi i aspirinës mund të shkaktojë dëme dhe nuk e zvogëlon mundësinë për të pasur sulm në zemër apo në tru
Sipas Task-Forcës së Shërbimeve Parandaluese të SHBA-së, personat e moshës 60 vjeç e lart nuk duhet të marrin aspirinë për sëmundjet e zemrës dhe për parandalimin e sulmit në tru, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një rekomandim të lëshuar përmes deklaratës me shkrim, paneli i pavarur amerikan i ekspertëve paralajmëroi se përdorimi i aspirinës mund të shkaktojë dëme dhe nuk e zvogëlon mundësinë për të pasur sulm në zemër apo në tru.
“Dëmi më serioz i mundshëm është gjakderdhja në stomak, në zorrët dhe në tru. Mundësia e gjakderdhjes rritet me moshën dhe mund të jetë kërcënuese për jetën”, thuhet në rekomandimin e panelit të pavarur të ekspertëve.
Në SHBA rreth një në tre vdekje vijnë nga sëmundjet e zemrës dhe sulmet në tru.
“Tani rekomandohet që kur njerëzit të mbushin 60 vjeç, ata nuk duhet të marrin parasysh fillimin e marrjes së aspirinës, sepse rreziku i gjakderdhjes heq përfitimet e parandalimit të sëmundjeve të zemrës”, thuhet më tej.
Grupi i punës po ashtu paralajmëroi personat e moshës 40-59 vjeç, të cilët janë në rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare ose kanë një histori të sëmundjeve kardiovaskulare, se duhet të vendosin me mjekët e tyre nëse do të fillojnë të marrin aspirinë.
Aspirina, ashtu si lehtëson dhimbjen, ul temperaturën dhe zvogëlon inflamacionin, po ashtu mund të parandalojë formimin e mpiksjes së gjakut.