Skender Perteshi nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë “Prevent”, tha se katër muajt e ardhshëm mund të jenë kritik për situatën e sigurisë në veri.
Pikërisht ky institut gjatë ditës publikoi raportin: Siguria në veri të Kosovës pas sulmeve terroriste në Banjskë e në kanalin e Ibër- Lepencit.
Tutje Perteshi tha se raporti i publikuar nga instituti e analizon dhe e vlerëson situatën e sigurisë në Kosovë, veçanërisht në veriun e Kosovës, prezencën dhe rrezikshmërinë që paraqesin organizatat ekstremistët që kanë vepruar për më shumë se dy dekada në veriun e vendit.
“Raporti vlerëson përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të vendosur rend e ligj, duke u përballur me strukturat e krimit të organizuar, ekstremiste që kanë vepruar për një kohë të gjatë në veri. Po ashtu, raporti vlerëson edhe rreziqet e kërcënimet që po i kanosen vendit të cilat mund të jenë burim i jo stabilitetit dhe pasigurisë jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në rajon në përgjithësi”, shtoi Perteshi.
Ai ka treguar se mbi çfarë të gjeturash e hulumtimesh është bazuar raporti i publikuar nga ta pas sulmeve terroriste në Banjskë e në kanalin e Ibër- Lepencit.
“Janë analizuar dokumente të ndryshme zyrtare, jo zyrtare, intervista me njerëz të fushës. Të gjitha këto raporte i kemi analizuar dhe ka të dhëna të mjaftueshme që strukturat e krimit të organizuar e ekstremiste me mbështetje zyrtare direkte prej Beogradit dhe strukturave të sigurisë së Serbisë për më shumë se 3 vite kanë planifikuar këto sulme në Kosovë. Qëllimi i sulmit në Banjskë ka qenë pushtimi i pjesës veriore dhe shkëputja nga Kosova e bashkimi i atij territori me Serbinë”, tha ai.
Perteshi tha se reagimi profesional i Policisë së Kosovës neutralizoi sulmin në Banjskë, duke bërë që të dështojnë strukturat kriminale terroriste që ta ekzekutojnë atë.