Peru, autoritetet detare zbulojnë derdhje tjetër të naftës

Autoritetet e përshkruan situatën si “katastrofën ekologjike” më të keqe në historinë e fundit në vendin e Amerikës së Jugut

Marina peruane tha sot se ka zbuluar një derdhje të re nafte në terminalin e rafinerisë La Pampilla që i përket kompanisë spanjolle të naftës Repsol, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Autoriteti Kombëtar Detar informon publikun se gjatë një prej fluturimeve inspektuese të kryera sot për të monitoruar zonën e prekur nga derdhja e naftës në La Pampilla, u vërejt një njollë nafte”, tha marina në një deklaratë në lidhje me derdhjen që është zbuluar të martën vonë.

Sipas marinës, kompania ka thënë se mbetjet e naftës “rrodhën pavarësisht se kishte kryer punën për të hequr naftën e papërpunuar”.

La Pampilla, 30 kilometra në veri të Limës, përbën rreth gjysmën e konsumit të karburantit të Perusë.

Një cisternë e Repsolit në brigjet e Perusë derdhi 6.000 fuçi naftë më 15 janar duke prekur më shumë se 700 hektarë sipërfaqe ujore dhe 180 hektarë të vijës bregdetare.

Qeveria shpalli emergjencë mjedisore 90-ditore pasi mbetje të naftës u gjetën në 21 plazhe, pinguinë të mbuluar me naftë dhe mijëra zogj të ngordhur, foka dhe peshq të sjellë në breg, ndërsa aktivitetet e peshkimit u pezulluan.

Autoritetet e përshkruan situatën si “katastrofën ekologjike” më të keqe në historinë e fundit në vendin e Amerikës së Jugut.

Repsol ia atribuoi derdhjen fryrjes së shkaktuar nga shpërthimi vullkanik i 14 janarit në Tonga, mijëra milje larg.

Qeveria peruane po shqyrton vendosjen e sanksioneve ndaj kompanisë spanjolle për dështimin për të reaguar në 48 orët e para të derdhjes. Ajo po shqyrton gjithashtu nëse do të pezullojë përfundimisht licencën e saj të funksionimit.

Kompania me bazë në Madrid mohon përgjegjësinë, duke theksuar se autoritetet detare nuk lëshuan asnjë paralajmërim për valë të pazakonta pas shpërthimit në Tonga.

Kategoritë
BotaLajme