Pesë kroate janë dëbuar nga Serbia, iu është ndaluar hyrja në vend: Grliç Radman paralajmëron një seri reagimesh

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlić Radman, deklaroi se Kroacia do t’i dërgojë një notë proteste Serbisë pasi pesë vajza nga Kroacia u ndaluan pa, siç thotë ai, asnjë shpjegim.

Ministri kroat theksoi se shtetaset kroate kishin shkuar për të marrë pjesë në një punëtori të organizuar nga Erste Banka dhe se “u ndaluan pa asnjë shpjegim,” duke shtuar se ka informacion që situata e njëjtë u ka ndodhur edhe shtetasve rumunë dhe irlandezë.

Grlić Radman sqaroi se rekomandimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për udhëtimet në vendin fqinj do të ndryshohet për të mbrojtur dhe siguruar qytetarët kroatë.
“Sa shoh unë, siguria është e diskutueshme,” tha shefi i diplomacisë kroate.

Siç deklaroi ai, të gjitha kroatet janë kthyer në shtëpi me ndihmën e Ambasadës së Kroacisë në Serbi.
“Do të dërgojmë një notë proteste, do të informojmë delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd për veprimet e autoriteteve serbe dhe sjelljen e tyre që i kanë vendosur qytetarët kroatë në një pozicion poshtërues,” theksoi ai.

Ai shtoi se do të mbledhin në mënyrë sistematike të gjitha rastet e “keqtrajtimit të shtetasve kroatë” dhe do ta njoftojnë për këtë Komisionin Evropian dhe presidencën polake të BE-së, “dhe, natyrisht, do të rishikojmë rekomandimin për udhëtimin e shtetasve kroatë në Serbi.”

Sipas gazetës Jutarnji list, pesë shtetase kroate, përfaqësuese të organizatave joqeveritare që morën pjesë në punëtori të organizuara nga Erste Stiftung në Beograd, kaluan pjesën më të madhe të natës në polici, e cila në fund i dëboi nga Serbia në mëngjes dhe iu ndaloi hyrjen në vend për një vit.

Në vendimin që iu dha atyre, si arsye për deportim u përmendën “arsye të sigurisë së Republikës së Serbisë dhe qytetarëve të saj.”

Kategoritë
LajmeRajoni