Peshkatarët sllovenë paditën gjykatën kroate në Strasburg: “Ata na gjobisin”

Peshkatarët sllovenë që morën gjoba nga Kroacia për peshkim në Gjirin e Piranit iu drejtuan Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, pas shterimit të opsioneve ligjore për apelim në Kroaci, njoftoi të martën agjencia sllovene STA.

Autoritetet kroate po gjobisin peshkatarët sllovenë për peshkimin në zonën në Gjirin e Piranit që, sipas vendimit të arbitrazhit, i përkiste Sllovenisë. Kroacia nuk e njeh vendimin dhe insiston në kufirin në gji përgjatë vijës së mesme.

Thuhet se peshkatarët iu drejtuan Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, pasi kishin ezauruar të gjitha opsionet ligjore në Kroaci, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.

Peshkatari i Koperit Matjaž Radin tha për STA se gjobat janë aq të shumta sa nuk llogariten më.

Shteti slloven financon ndihmën juridike për peshkatarët, por burime në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MZEZ) theksojnë se nuk merr pjesë në procedurën para asaj gjykate, sepse në atë rast gjykata do të shpallej jokompetente.

Sipas përfaqësuesit të peshkatarëve, nga Gjykata Evropiane nuk është marrë asnjë njoftim nëse do të merren në shqyrtim paditë e peshkatarëve. Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme sllovene vlerësojnë se nëse gjykata do të pranonte ankesat e peshkatarëve, në një farë mënyre do të legjitimonte vendimin e arbitrazhit, sipas STA.

Kategoritë
LajmeRajoni