Peskov demanton Sveçlën: Nuk është e vërtetë që Rusia po destabilizon situatën në Kosovë

Zëdhënësi i presidentit të Rusisë, Dmitry Peskov, ka deklaruar se nuk është e vërtetë se Rusia po e destabilizon situatën në Kosovë.

I pyetur nga një gazetar që të komentojë deklaratën e ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla, se Serbia, e cila është nën ndikimin rus, synon të destabilizojë Kosovën duke mbështetur minoritetin serb, Peskov tha: “Serbia, natyrisht, është një vend sovran dhe nuk është absolutisht e vërtetë”.

“Serbia mbron të drejtat e serbëve që jetojnë në atë zonë, në kushte të vështira. Sigurisht, ata reagojnë fuqishëm kur shkelen këto të drejta”, tha Peskov, transmeton Sputnik.

Peskov kujtoi se Rusia dhe Serbia “kanë marrëdhënie të ngushta aleate”.

“Sigurisht, Rusia po ndjek me shumë kujdes atë që po ndodh, si po sigurohen të drejtat e serbëve dhe sigurisht që ne e mbështesim Beogradin në veprimet që ndërmerr”, tha Peskov.

Kategoritë
BotaLajme