Petkovic: Kurti po mashtron, s’ka afat të caktuar për marrëveshje, ‘tik-taku’ po bie vetëm për Asociacionin

Drejtori të ashtuquajturës i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkovic ka komentuar deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se pranvera e vitit 2023 është afati për arritjen e marrëveshjes për normalizim me Serbinë, transmeton Gazeta Metro.

Petkovic ka thënë se Kurti po mashtron, s’ka afat të caktuar për marrëveshje, sipas tij tik-taku po bie vetëm për asociacionin.

“Kurti është duke mashtruar publikun para fytyrës. Faktet janë që nuk ka kurrfarë afati të paracaktuar për normalizim të raporteve në mes të Beogradit dhe Prishtinës. I vetmi tik-tak që po bie është ai për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe se ‘afati’ ekziston vetëm në kokën e Kurtit”, është shprehur Petkovic, raporton Tanjug.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje ka thënë se që nga 9 shtatori i këtij viti, në bisedimet me Serbinë ekziston një model në të cilin palët do të mbështeten gjatë negociatave të ardhshme, e që sipas tij, duhet të nisin menjëherë.

Ai tha se në këtë model thuhet se deri në pranverën e vitit 2023, Kosova e Serbia duhet të kenë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

“Normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtarisht dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar”, ka thënë Kurti për Gradska RTV. /gazetametro.net

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi