Petkoviq: QUINT s’po investon asnjë pjesë të energjisë për ta bindur Kurtin ta formojë Asociacionin

Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Serbi, Petar Petkoviq, ka pritur sot në Beograd përfaqësuesit e Listës Serbe dhe kryetarët e katër komunave veriore.

Petkoviq është shprehur i indinjuar me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë të cilët ua kanë transmetuar mesazhin e tyre lidershipit të Listes Serbe se duhet ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Varësi i Vuçiqit thotë se QUINT-i s’po e investon asnjë pjesë të energjisë së tij për ta bindur kryeministrin Kurti ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Nuk e di se si këta përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it nuk e investojnë asnjë pjesë të energjisë së tyre për të kërkuar nga Kurti ta formojë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, kurse të njëjtit investojnë energji të madhe për ta bindur popullin serb që ata duhet të jetojnë në shtetin fallso të Kosovës”, ka thënë Petkoviq, transmeton Gazeta Express.

Petkoviq poashtu ka thënë se do të insistojnë që të Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të jetë në agjendën e bisedimeve në Bruksel.

“Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë në agjendë dhe do të insistojmë për të në Bruksel. Sot është dhjetë herë më e vështirë se më herët dhe Kurti e shfrytëzon për të thënë se Rusia po e shtrin influencën përmes Serbisë”, ka thënë ai.

Kategoritë
LajmeRajoni