Petkoviqit i dhemb vizita e Kurtit në veri: Deshi të shkaktojë tensione

Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka vlerësuar sot se vizita e djeshme e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në veri ka pasur për qëllim “të shkaktojë tensione, provokime dhe destabilitet”.

Petkoviqi në këtë reagim ka theksuar se suksesin e vizitës së kryeministres serbe Ana Bërnabiq në pjesën veriore të Kosovës e dëshmon më së miri fakti se “të nesërmen Albin Kurti ‘vrapoi’ për të bërë fotografi” po në veriun e Kosovës.

“Vetëm se, Ana Bërnabiqi u prit me entuziazëm nga disa mijëra serbë, ndërsa Kurti u desh të qarkullonte fshehurazi në veriun e krahinës sonë, që të mos e takonte rastësisht ndonjë serb dhe të vetmit që e pritën atë ishin anëtarët e ROSU-s”, tha Petkoviqi.

Ai tha se kjo më së miri tregon që “Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në veri të Kosovës”.

“Dhe kjo tregon më së miri se Kurti nuk ka çfarë të kërkojë në veri të krahinës dhe se qëllimi i tij i vetëm është të shkaktojë tensione, provokime dhe destabilitet, së bashku me një dëshirë obsesive për t’u filmuar për mediat sociale”, theksoi Petkoviqi.

Zyrtari serb tha më tej se “nuk ka se si Kurti të mos e mbante mend mirë se si populli serb i tregoi pa mëdyshje se nuk kishte çfarë të kërkonte në veri të Kosovës dhe Metohisë kur për herë të fundit u përpoq publikisht të futej në një mjedis serb”.

“Prandaj tani duhet të dalë vjedhurazi dhe të filmojë ‘me guxim’, për të bindur veten se ishte vërtet në veri”, tha ai.

Petkoviqi vlerësoi se “është mirë që Kurti e ka parë në detaje vizitën e kryeministres së Serbisë në Mitrovicën e Kosovës, në Zveçan dhe Leposaviq, sepse ka mundur të mësojë se si të dërgojë mesazhe paqeje, demokracie dhe stabiliteti dhe të cilën serbët e pranojnë si të vetmen kryeministre të tyre”. Kujtojmë se dje gjatë orëve të pasdites, kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë homazhe dhe ka vendosur buqetë me lule në vendin e rënies në detyrë të pjesëtarit të forcave speciale të Policisë së Kosovës, Enver Zymberi, në rrugën nacionale që lidh Mitrovicën me Zubin Potokun, në afërsi të fshatit Zubç.

Në shënim të 23-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Kurti kujtoi Enver Zymberin, i rënë në kryerje të detyrës zyrtare dhe në bartje të misionit për shtrirjen e plotë të sovranitetit dhe ligjshmërisë në Republikën e Kosovës.

Kurti dhe Sveçla vizituan edhe bazën e re të Policisë së Kosovës në Jasenovik në Zubin Potok, si dhe kampin e njësisë speciale Belvedere në Mitrovicë. /Zëri

Kategoritë
LajmeVendi