Grupet humanitare, organizatat joqeveritare, sipërmarrësit, fermerët dhe qeveritë në të gjithë botën po përcjellin me shqetësim planet e Uashingtonit, pasi presidenti i sapobetuar amerikan, Donald Trump, e pezulloi ndihmën për vendet e huaja, në pritje të një vlerësimi nga administrata e tij.
Në Kosovë, një përpunues i drurëve shpreson se Uashingtoni nuk do t’ia kthejë shpinën vendit të tij.
Në Afganistan, ngrirja e ndihmave amerikane do të ishte “katastrofike” për miliona qytetarë në nevojë të këtij vendi, thotë udhëheqësi i një grupi të madh ndërkombëtar të ndihmës.
Në Ukrainë, një aktiviste kundër korrupsionit thotë se ndërprerja e financave nga SHBA-ja, mund të sinjalizojë pakësimin e mbështetjes nga ky vend për reformat demokratike.
Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv për pezullimin e ndihmave amerikane për zhvillim për 90 ditë, duke thënë se “asnjë ndihmë e mëtejshme e Shteteve të Bashkuara, nuk do të jepet në atë mënyrë që nuk përkon plotësisht” me politikën e tij të jashtme.
Urdhri i Trumpit nuk specifikoi se cilat vende, programe ose pranues të këtyre ndihmave do të preken dhe nuk ishte menjëherë e qartë se si do të ndikojë ai në ndihmat tashmë të përvetësuara nga Kongresi amerikan në buxhetin federal.
Ndikimi në Kosovë
Kreshnik Shehu, një përpunues i drurëve në Kosovë, thotë se ndihma e SHBA-së ka luajtur rol të rëndësishëm në rritjen e eksporteve të kësaj lënde.
Kompania e Shehut, ashtu si edhe sektori i drurit në përgjithësi në Kosovë, kanë përfituar nga financimet e USAID-it (Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar).
“Në vitin 2014, eksportet në sektorin tonë ishin 2.5 milionë euro”, thotë Shehu për Radion Evropa e Lirë.
“Sot, ato janë më shumë se 150 milionë euro. Kjo tregon se gjatë dhjetë vjetëve të fundit, kontributi i USAID-it ka qenë shumë i madh. Ai ka qenë një faktor vendimtar në rritjen e këtij sektori”, shton Shehu.
USAID-i thotë se ka investuar më shumë se 1 miliard dollarë në zhvillimin e Kosovës që nga viti 1999.
“Nëse ajo ndihmë nuk do të ekzistonte, do të kishim mbetur shumë vite prapa”, thotë Shehu, kompania e të cilit e ka selinë në qytetin e Drenasit.
Shehu thotë se “nuk dua të besoj se USAID-i do të na kthejë shpinën”.
“Ne ende kemi nevojë për të, sepse ende nuk jemi rritur sa duhet për të përballuar konkurrencën e pabesueshme në tregun ndërkombëtar”, thotë ai.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, konfirmon se USAID-i ka luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shtetit të Kosovës.
“USAID-i vazhdon të ndihmojë shoqata dhe biznese të shumta, përfshirë ndërmarrje të udhëhequra nga gratë, kompani të teknologjisë informative dhe biznese të orientuara nga eksporti”, thotë Rafuna.
Ai shton se USAID-i ka ndihmuar edhe në uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ka qenë i rëndësishëm në ofrimin e ndihmës për gjetjen e zgjidhjeve për mosmarrëveshjet tregtare, që përfshinin eksportet dhe importet në tregjet serbe dhe rajonale. Pra, përveç nxitjes së zhvillimit ekonomik, USAID-i ka luajtur një rol jetik në uljen e tensioneve mes dy vendeve”, sipas Rafunës.