Pothuajse 1.000 pilotë izraelitë në pension dhe rezervistë të forcave ajrore i bënë thirrje të enjten qeverisë që t’i japë përparësi lirimit të pengjeve të mbetura në Gaza, madje edhe nëse kjo nënkupton ndaljen e luftës kundër Hamasit.
Një zyrtar ushtarak izraelit tha se nënshkruesit e këtij apeli që janë ende në shërbim aktiv do të largohen nga ushtria për shkak të letrës, në të cilën thuhet se lufta që Izraeli rifilloi muajin e kaluar pas një armëpushimi dy mujor “i shërben kryesisht interesave personale dhe politike, jo nevojave të vërteta të sigurisë”.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se mbështet shkarkimet, duke i cilësuar deklaratat si “të pafalshme, që dobësojnë IDF-në dhe forcojnë armiqtë e Izraelit në kohë lufte”.
Letra, e publikuar nga disa media izraelite, është nënshkruar nga 980 rezervistë, shumica prej tyre tashmë në pension, ndërsa rreth 10 për qind janë ende në rezervë aktive, tha njëri nga nënshkruesit për agjencinë Reuters.
Në letër kërkohet “kthimi i menjëhershëm i të gjithë pengjeve izraelite pa vonesë, edhe me çmimin e ndaljes së menjëhershme të luftës”.
Muajin e kaluar, Izraeli e theu armëpushimin e arritur në janar pasi palët nuk arritën të bien dakord për kushtet e vazhdimit të tij. Izraeli ka deklaruar se do të vazhdojë operacionet ushtarake derisa të kthehen 59 pengjet e mbetura që ende mbahen nga Hamasi dhe grupet e tjera militante. Hamasi ka thënë se nuk do t’i lirojë ata pa një marrëveshje që do të çojë në përfundimin e përhershëm të luftës.
Familjarët e pengjeve dhe protestues të shumtë i kanë bërë thirrje qeverisë së djathtë të Netanyahut që të arrijë një marrëveshje me Hamasin për lirimin e pengjeve, edhe nëse kjo nënkupton tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza dhe ndaljen e konfliktit.
Netanyahu thotë se Izraeli do të vazhdojë luftën derisa të realizohen të gjitha qëllimet e tij, përfshirë eliminimin e aftësisë së Hamasit për të qeverisur Gazën, dhe se ky qasje përfundimisht do të çojë në lirimin e pengjeve.