“Pinte deri në 9 ekspreso në ditë dhe shumë duhan” flet pronari i “Elidës” vendi ku rrinte shumë Rugova e ku u ngjiz LDK

Me rastin e 33 vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në një intervistë për FRONTAL të T7 ka folur Bajam Idrizi pronari i ëmbëltores “Elida” në Prishtinë aty ku Ibrahim Rugova ka kaluar kohën më të madhe të tij bashkë me shokë dhe ku kishin nisur përpjekjet e para për themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Idrizi ka treguar se Rugova ka qenë një ndër njerëzit që kishte shkuar aty më së shpeshti dhe ka qenë një person shumë i sjellshëm.

“Ne jemi nga viti 1978 aty. Kemi kujtime të paharruar. Me njerëz të mëdhenj e elitar.

Ibrahim Rugova ka qenë një ndër ta, Bujar Bukoshi, Veton Surroi, Mehmet Kraja, Milazim Krasniqi e shumë të tjerë.

Me lokal kemi qenë afër Rilindjes, aty rrinin gazetarët e shkrimtarët, të gjithë. Por kur u mbyll Rilindja, gjithë këta kanë ardhur tek ne”, ka thënë Idrizi për T7, raporton Express.

Teksa ka folur për Rugovën, Idrizi ka thënë e ka qenë shumë i qetë dhe i afërt edhe me kamerierët dhe stafin.

“Ibrahim Rugova ka qenë shumë i qetë, shumë i disiplinuar dhe shumë i afërt me ne dhe kamerierët e gjithë stafin tonë. Nuk e di si ta them. Kemi një mendim të paharruar.

Ne e kuptuam shkaku se tubimet ishin aty dhe flitej që po formohet partia. E dinim nga njerëzit tanë që ishin të afërt. Kemi qenë në rrethana të afërta. Kemi pasur raste që kemi pirë kafe bashkë disa herë”, ka shtuar tutje ai.

Idrizi ka thënë se Rugova ka pirë deri në 9 ekspreso në ditë dhe ka konsumuar edhe shumë duhan.

“Bisedat ishin të qeta dhe interesante. Kur më kujtohen, nuk më besohet që Kosova në atë kohë ka pasur një njeri të tillë. Bisedat që flisnim me të janë të paharruar.

Vinte në lokal nga ora 10 deri në orën 2 apo 2 e gjysmë pasdite. Pas tij vinte, Jusuf Buxhovi, Milazim Krasniqi, Bujar Bukoshi. Kishte raste që vinin edhe gazetar nga jashë që pyesnin ku rrin e kur vjen Rugova.

Vendi i Rugovës ka qenë i veçantë në lokal”, ka shtuar Idrizi.

Bajram Idrizi ka treguar se për shkak se aty rrinin shumë Rugova me shokë, kanë pasur vizita na inspektorët e Serbisë.

“Kemi pasur probleme nga inspektorët e Serbisë. Ata e dinin çfarë po zhvillohet brenda.”

“Rugova ka qenë mysafir shumë i qetë. Ka pasur edhe shumë shokë. Kur vinte puna te pagesa, sepse ata që bëheshin shumë shokë, Rugova zgjohej dhe i paguante kafet ai. Interesant ishte, i numëronte edhe personat vetë.

Rugova pinte ekspreso shumë dhe cigare shumë. Përafërsisht tetë apo 9 kafe i pinte. Pinte edhe duhan shum”, ka theksuar Idrizi tutje.

“Ka qenë klient shumë i lehtë, i afërt me kamerierët. Na linte nganjëherë edhe bakshish”.

Rugova nuk hante ëmbëlsirë as akullore, vetëm kafe”, ka potencuar ai.

Ndërkohë ka zbuluar se për shkak se ishte kuptuar për arkitektin që po bëhej aty ua kanë mbyllur lokalin për tre vjetë.

“Na kanë mbyllur lokalin për shkak të LDK-së. Tri vjet na mbyllën”, ka theksuar ai/Express/

 

Kategoritë
LajmeTë ndryshme