Pitajka me vezë, shija e pazëvendësueshme e tryezave të iftarit në Prizren

Ato mund të kenë përbërës sipas shijeve të ndryshme, dikush vetëm me vezë dhe gjizë apo djathë, dikush edhe mish apo suxhuk dhe dikush edhe barishte të ndryshme.

Buka rrumbullake me kryesisht vezë dhe gjizë sipër, e njohur si “pitajka me vezë” konsiderohet kurora e sofrave të iftarit në qytetin e Prizrenit, e cila prej shekujsh përgatitet në mënyrë të njëjtë duke u bërë e pazëvendësueshme gjatë muajit të Ramazanit.

Qytetarët që duan të hanë për iftar pitajka me vezë, të cilat i përgatisin furrtarët tradicionalë, duhet të marrin materialet që i mbivendosen pitajkave, e të cilat mund të kenë përbërës sipas shijeve të ndryshme, dikush vetëm me vezë dhe gjizë apo djathë, dikush edhe mish apo suxhuk dhe dikush edhe barishte të ndryshme.

Për t’i marrë pitajkat, pasi të dorëzohen materialet, furrtari shkruan emrin e porositësit në një letër dhe e vendos mbi tepsi, në mënyrë që pitajkat e myshterinjve të mos të përzihen me njëra-tjetrën. Me afrimin e kohës së iftarit, qytetarët shkojnë sërish në furrë dhe rreshtohen duke pritur që pitajkat të dalin nga furra.

– Tre breza me radhë përgatisin pitajka me vezë

Familja Kuştendil nga Prizreni përgatitë pitajka me vezë të cilat i pjekë në furrë me dru, në furrën e tyre të cilën e mbajnë për tre breza me radhë, nga mesdita deri në iftar, gjatë gjithë Ramazanit.

Şenol Kuştendil, i cili punon në furrë me babanë, dajën dhe kushëririn e tij, tha për Anadolu se kërkesa më e njohur gjatë Ramazanit janë pitajkat me vezë.

“Gjëja më e kërkuar gjatë Ramazanit janë pitajkat e Ramazanit. Një nga këto është e domosdoshme, pitajka me vezë, siç e quajmë ne. Këto janë tradita jonë në shekuj, e trashëguar nga gjyshërit dhe baballarët tanë”, tha ai.

Zülfikar Kuştendil, duke thënë se prej 60 vjetësh vazhdon profesionin e bukëpjekësit, të cilin e ka mësuar nga babai i tij, e cilësoi pitajkën me vezë si “fama e Prizrenit”.

– Pitajka është një nga traditat më të vjetra të qytetit.

Cemi Tatar, mësues nga Prizreni, i cili ishte duke pritur në radhë pranë furrës së bukës, para iftarit, përmendi se pitajka është një nga traditat më të vjetra dhe më të rëndësishme të qytetit.

“Pitajka me vezë nuk mungon kurrë në sofrat e Ramazanit. Kjo është një traditë e trashëguar nga të parët tanë dhe ne i respektojmë traditat tona”, tha ai.

Duke vënë në dukje se ka qenë klient i kësaj furre buke për vite me radhë gjatë Ramazanit, Shaban Pllava tha se “Këto pitajka i përdorim vetëm për nder të Ramazanit”.

Ushqimi tradicional i Ramazanit në Prizren, pitajka, shitet në furra buke me çmim prej 50 centë si e thjeshtë dhe 60 cent si e përgatitur me vezë.

Kategoritë
LajmeVendi