“PKK përdor raketa AT4 të prodhimit suedez në sulmet ndaj ushtrisë turke”

Sipas burimeve të sigurisë, raketat janë përdorur gjerësisht nga PKK-ja në sulmet e saj të shumta ndaj forcave turke, brenda dhe jashtë kufijve të vendit

Grupi terrorist PKK përdor raketat AT4, të prodhuara nga Suedia, vend që ka aplikuar për anëtarësim në NATO, në sulmet ndaj ushtrisë turke, ka mësuar Anadolu Agency (AA).

Sipas burimeve të sigurisë, raketat janë përdorur gjerësisht nga PKK-ja në sulmet e saj të shumta ndaj forcave turke, brenda dhe jashtë kufijve të vendit.

Forcat turke së fundmi sekuestruan raketa AT4 nga një strehë e PKK-së në Irakun verior.

Në mënyrë të ngjashme, deri në 17 raketa AT4 u gjetën nga forcat e sigurisë në vitin 2020 dhe 2021 në shtatë incidente të veçanta nga lokacione të ndryshme në provincën juglindore Hakkari të Turqisë.

Në provincën juglindore Şırnak, pesë raketa AT4 u gjetën nga forcat e sigurisë në katër raste të ndryshme midis viteve 2019 dhe 2021.

Ndërkohë, në zona të ndryshme të Irakut verior, duke përfshirë rajonet Hakurk dhe Avasin-Basyan, 13 armë AT4 u zbuluan midis viteve 2018 dhe 2021 në katër incidente të ndryshme.

Sistemi i armëve, i cili ka një familje të gjerë produktesh, është një nga armët e lehta antitank më të zakonshme në botë. Rrezja efektive e kësaj arme portabile me një gjuajtje është 200-1000 metra.

Ajo është projektuar për të shkatërruar ose çaktivizuar mjetet e blinduara dhe fortifikimet.

Turqia, anëtare e vjetër e NATO-s, ka shprehur kundërshtime ndaj anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë, duke kritikuar dy vendet nordike për tolerimin dhe madje mbështetjen e grupeve terroriste si YPG/PKK.

Gjatë pesë viteve të fundit, si Helsinki, ashtu edhe Stokholmi, nuk kanë arritur të pajtohen me kërkesat e Ankarasë për ekstradimin e dhjetëra terroristëve, duke përfshirë anëtarë të PKK-së dhe FETO-s, grupi që qëndron pas grushtit të shtetit të dështuar në vitin 2016 në Turqi.

Përfaqësues të lartë të Finlandës dhe Suedisë do të vizitojnë Ankaranë në ditët në vijim për të diskutuar proceset e tyre të anëtarësimit.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 35-vjeçare kundër Turqisë, PKK, e listuar si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40.000 njerëzve, duke përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja.

Kategoritë
BotaLajme