Plagoset kreu i policisë polake, i shpërthen dhurata që mori nga Ukraina

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën në Varshavw, ku ka mbetur i plagosur kreu i policisë së Polonisë, Jaroslaw Szymczyk.

Ai së bashku me një efektiv të policisë u shtruan në spital pasi i shpërtheu në zyrë një dhuratë që kishte marrë nga ekipet e urgjencës në Ukrainë. Szymczyk vizitoi Ukrainën më 11 dhe 12 dhjetor, ndërsa mori një dhuratë nga kreu i emergjencave. Deri tani, është ende e paqartë se çfarë përmbante dhurata.

Ngjarja e rëndë u konfirmua edhe nga Ministria e Brendshme e Polonisë. “Si pasojë e shpërthimit, mbeti i plagosur lehtë shefi i policisë, i cili ndodhet në spital për të marrë ndihmën mjekësore. Ndërkohë, efektivi i policisë pësoi lëndime më të lehta dhe nuk u dërgua në spital”, tha Ministria, e cila bëri të ditur se ka kërkuar informacione edhe nga pala ukrainase.

Mediat polake raportuan se si pasojë e shpërthimit është dëmtuar edhe tavani i ndërtesës. Kjo ngjarje e rëndë vjen vetëm pak ditë pasi disa zarfe-bombë iu dërguan ambasadave të Ukrainës në Spanjë, Hungari, Holandë, Poloni, Kroaci, Itali dhe Austri.

Kategoritë
BotaLajme