Planet e Serbisë për destabilizimin e Kosovës? Osmani i përgjigjet Vuçiqit nga Turqia (Foto)

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të presidentit Recep Tayyip Erdogan ka nisur dje vizitën zyrtare në Turqi, raporton Gazeta e Re.

Vizitën në Turqi ajo e filloi në fabrikën për prodhimin e dronëve “Baykar”, në Stamboll, e cila është një rrëfim inspirues për arritjet në sferën e avancimit teknologjik dhe inovacionit të ndërlidhur me sektorin e mbrojtjes dhe të sigurisë.

“Gjatë qëndrimit në Stamboll po zhvilloj takime me odat ekonomike, prodhues industrial, përfaqësues biznesesh si dhe me komunitetin shqiptar të Turqisë. Në këto takime po shoqërohem nga një delegacion i bizneseve kosovare për t`i parë nga afër mundësitë e bashkëpunimit me bizneset turke.

Ndërkaq në vazhdimin e vizitës, në Ankara, do të takohem me presidentin Erdoğan, ku përveç diskutimit për marrëdhëniet aktuale, do të shihen edhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit. Përveç me presidentin Erdogan, do të takohem edhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit turk”, shkroi Presidentja Osmani në median sociale.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri Albin Kurti kanë thënë se kanë marrë masa shtesë për sigurinë. Ata nuk kanë dhënë detaje rreth tyre, por kanë njoftuar për një varg takimesh që kanë zhvilluar me përfaqësuesit e mekanizmave të sigurisë – vendorë e ndërkombëtarë.

Sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, ky takim ka prodhuar disa konkluzione në lidhje me bashkëpunimin midis Kosovës dhe partnerëve nga Bashkimi Evropian, NATO-ja, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia por, “detajet nuk mund të bëhen publike”, për shkak të “ndjeshmërisë së situatës”.

Por vizita e presidentes së Kosovës në mes të kësaj atmosfere të trazuar ka ngjallë reagime të shumta në mediat e Serbisë të cilët këtë vizitë e realizuar në këtë kohë kanë cilësuar si një mesazh provokues kundër Serbisë.

Në anën tjetër në takimin e Këshillit të Bizneseve Turqi-Kosovë që u mbajt në Stamboll, Osmani tha se Turqia dhe Kosova janë tregje shumë të rëndësishme për biznesmenët e të dyja palëve

“Dëshiroj që vizita jonë në Turqi të jetë një hap i rëndësishëm për t’i çuar në pika edhe më të mira marrëdhëniet tona tregtare. Ne duam të dëgjojmë biznesmenët turq dhe kosovarë për të afruar Kosovën dhe Turqinë dhe të mësojmë se si mund ta çojmë bashkëpunimin tonë në pika më të mira. “Ka një potencial të madh mes Turqisë dhe Kosovës, ne duhet ta shfrytëzojmë atë. Ka një hapësirë të shkëlqyer mes dy vendeve, veçanërisht që kompanitë kosovare të hyjnë në tregun turk dhe që kompanitë turke të eksplorojnë më shumë mundësitë në Kosovë. Biznesmenët tanë do të flasin për këtë këtu. Unë jam këtu për të ritheksuar mesazhin që Kosova është një treg i shkëlqyer, Kosova është një treg me mundësi të mëdha investimi për të gjithë biznesmenët”, tha ajo.

Çfarë karakteristika të veçanta kanë dronet TB2 të cilët kanë ‘pushtuar’ vëmendjen e gjithë botës?

“TB2” janë fjala e fundit e teknologjisë së dronëve në Turqi. Ky është versioni i dronëve të armatosur, të cilët mund të qëndrojnë në ajër për orë të tëra duke lëshuar raketa vdekjeprurëse ndaj objektivit.

Më herët, ishin amerikanët ata që i përdorën gjerësisht dronët vrasës për të eliminuar personazhe të njohur të terrorit, ndërsa Turqia është e dyta që shënon një përdorim kaq të gjerë.

Droni TB2 është projektuar dhe prodhuar nga kompania turke Bayraktar. Zhvillimi i dronit filloi në vitin 2007, dhe dy vjet më vonë ai bëri fluturimin e parë. Në 2014, zhvilluesit i treguan ushtrisë turke versionin e tyre përfundimtar dhe në mars 2016 “TB2” u miratua zyrtarisht nga ushtria turke, shkruan gazeta e re.

“TB2” mund të ngjitet në një lartësi prej më shumë se 7 300 metra dhe të qëndrojë në ajër deri në 24 orë, shkruan abcnews.al. Droni mund të kontrollohet nga qendra e kontrollit në një largësi deri në 150 kilometra.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi