“Plani i zbatimit në tavolinë”, a ka shanse për marrëveshje të hënën në Bruksel?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në një takim në Bruksel më 27 shkurt. Nga BE-ja refuzuan të jepnin detaje për pritjet që kanë nga ky takim, por Kurti është optimist. Presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq nga Mynihu dha detaje për atë që palët do të diskutojnë “E di që në ditët në vijim në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet për dokumentin përcjellës, planin e zbatimit” tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur optimist para takimit të 27 shkurtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ai pret progres të hënën në Bruksel.

Kurti të hënën para gazetarëve përmendi përparimin që tha se duhet të bëhet mbi bazën e propozimit europian.

“Ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme, edhe të ecet përpara mbi bazën e atij propozimi. Mirëpo, për gjëra të tjera nuk mund të flasim tani për shkak se jo pak varet nga fascilituesit apo ndërmjetësit. Domethënë, pas ditës së hënë do të mund të dimë më shumë se çka e kur”, tha Kurti.

Ai u shpreh edhe njëherë kundër Asociacionit, kur u pyet nëse formimi i tij mund të jetë temë diskutimi në atë takim.

“Janë 5 fjali të preambulës, janë 10 nene gjithsej dhe unë besoj se duhet t’i përmbahemi propozimit që kemi marrur dhe jo interesit të njërës palë”, tha Kurti.

Zyra për shtyp e Bashkimit Europian refuzoi të përgjigjet në pyetjet e Gazetës Express rreth pritjeve për këtë takim, por referuan komunikatën e javës së kaluar.

Në komunikatën e 17 shkurtit, BE-ja njoftoi se Kurti dhe Vuçiq do të takohen në Bruksel, pasi kishin konfirmuar pjesëmarrjen në një takim të thirrur nga shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell.

“Përfaqësuesi i Lartë, i mbështetur nga Përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajčák, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët, pasuar nga një takim i përbashkët. Në takim do të diskutohet për Propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, u tha në komunikatë.

Kurti, tha të hënën në një intervistë për France24 se ky takim do të tregojë se “sa shpresëdhënës mund të jemi për këtë vit”.

“Unë jam optimist. Jam shumë optimist se mund të ketë një marrëveshje këtë vit”, tha Kurti.

Ai tha se “kemi nevojë për një përfshirje të madhe të bashkësisë ndërkombëtare”dhe që Beogradi zyrtar të fillojë të distancohet “si nga e kaluara, përkatësisht nga Millosheviqi, ashtu edhe nga e tashmja, domethënë nga presidenti despotik Putin”.

Kurti më herët e ka përmendur fundin e marsit si afat për nënshkrimin e marrëveshjes dhe Qeveria e ka këtë pritje. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e konfirmoi këtë në një intervistë për “Euronews Serbia” më 12 janar, ku u pyet edhe nëse është reale kjo pritje.

Pët takimin e 27 shkurtit të dielën ka folur edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq. Ai në një intervistër për Deutsche Ëelle-n tha se “nuk ka rrugëdalje” nga kjo marrëveshje dhe se të gjitha idetë tjera, si ajo e konfliktit të ngrirë nuk sjellin “asnjë të mirë as për Serbinë, as për Kosovën, Ballkanin Perëndimor apo Europën”.

Gjukanoviq tha se palët tashmë kanë bërë përparim duke e pranuar bazën e marrëveshjes dhe se shpreson që marrëveshja do të nënshkruhet së shpejti, sepse ajo “ka rëndësi të pamatshme për stabilitetin dhe perspektivën europiane të të gjithë rajonit”.

“Unë mendoj se me pranimin e tekstit bazë të marrëveshjes nga të dyja palët, është bërë një lëvizje. Ky është një shans që nuk duhet lëshuar. E di që në ditët në vijim në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet për dokumentin përcjellës, planin e zbatimit. Shpresoj se edhe për këtë do të arrihet një marrëveshje. Sinqerisht dua që Serbia dhe Kosova ta nënshkruajnë marrëveshjen, sepse mendoj se kjo do të ishte e një rëndësie të pamatë për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit” shtoi Gjukanoviq.

Kategoritë
LajmeVendi