Plani për të mashtruar Hagën: Netanyahu deshi që prokurori izraelit të fillonte dhe mbyllte procesin për krime lufte

Sipas raporteve të mediave izraelite, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kërkuar përmes ministrit të drejtësisë që prokurori shtetëror të fillojë një hetim kundër tij për Gazën, dhe më pas ta mbyllte atë në mënyrë që Gjykata Ndërkombëtare Penale të hidhte poshtë aktakuzën.

Ministri i Drejtësisë së Izraelit, Yariv Levin, duke vepruar sipas urdhrit të kryeministrit Benjamin Netanyahu, kërkoi nga prokurorja e shtetit Gali Baharav-Miara të hapte një hetim penal kundër Netanyahut dhe ministrit të mbrojtjes Yoav Gallant, si një mënyrë për të anashkaluar kërkesën për lëshimin e urdhër-arresteve kundër dy personave nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, raporton Kanali 12 i Izraelit.

Në raport thuhet se Netanyahu dëshironte që hetimi të hapej dhe pastaj të mbyllej, me një raport të paraqitur në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për të treguar se akuzat janë hetuar.

Raporti thotë se Baharav-Miara refuzoi kërkesën, duke thënë se kjo ishte një mashtrim i qartë dhe nuk do ta kënaqte gjykatën. Baharav-Miara beson se vetëm një Komision Hetimor Shtetëror – hetimi më i lartë izraelit – për ngjarjet e 7 tetorit dhe luftën në Gazë që pasoi, do të kënaqte gjykatën.

Deri tani, Netanyahu ka refuzuar të angazhohet në një hetim të tillë, duke thënë se duhet pritur deri në fund të luftës. Raporti përmend se Netanyahu ka frikë se kjo është një mashtrim ligjor që synon ta rrëzojë atë nga pushteti.

Kërkesa e Levin erdhi pasi prokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, këtë javë bëri thirrje në gjykatë për të lëshuar urdhër-arrestet që kishte kërkuar në maj kundër Netanyahut, Gallantit, si dhe liderëve të Hamasit Yahya Sinwar dhe Mohammed Deif, “me urgjencën më të madhe”.

Khan kishte kërkuar në maj urdhër-arreste për liderët izraelitë dhe ata të Hamasit për akuzat për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, për krimet e kryera nga Hamasi më 7 tetor dhe politikën ushtarake izraelite në sulmin e tij pasues në Gazë.

Kategoritë
BotaLajme