Plas sherri mes dy shoferëve që u përfshinë në një aksident në Prishtinë, Policia i gjen njërit thikë

Jo rrallëherë kërcet dajaku mes shoferëve kosovarë për shkak të mosmarrëveshjeve që ndodhin në komunikacion. Shpesh ndodhë që mollë sherri të jenë edhe aksidentet e trafikut. Një rast i tillë ka ndodhur në orët e mëngjesit të sotëm, në rrugën ‘5 Maji’, në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjalizues të Sinjalit kanë bërë të ditur se dy persona janë kapur me njëri tjetrin pasi janë përfshirë në një aksident trafiku te “Rrethi i Viktorisë”, me ç’rast u desh intervenimi i Policisë.

Derisa patrulla policore ka dalë në vendin e ngjarjes, sinjalizuesit thonë se fatmirësisht një zyrtare policore ka qenë duke kaluar dhe ka ndërhyrë, për të parandaluar ndonjë incident.

Në momentin që Policia ka arritur në vendin ku ndodhi aksidenti, personat e përfshirë janë kontrolluar, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme. Te njëri nga shoferët që shkaktoi aksidentin, Sinjali mëson se Policia ka gjetur një mjet të mprehtë, thikë.

Për shkak të konfliktit dhe armës që u gjet, dy palët janë shoqëruar në stacion policor, për t’u intervistuar. Ndaj të dyshuarit që iu gjet thika, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për posedim të paautorizuar të armës.

 

Kategoritë
Lajme