Zyrtarët amerikanë po bëhen gjithnjë e më të zëshëm në njoftimet se Shtëpia e Bardhë po shqyrton transferimin e sistemit të posaçëm të mbrojtjes ajrore THAAD në Izrael, në kulmin e paralajmërimeve për një sulm të mundshëm izraelit ndaj Iranit.
Megjithëse vendimi ende nuk është konfirmuar, sipas burimeve të shumta, Shtëpia e Bardhë po e shqyrton seriozisht përdorimin e këtij sistemi në territorin izraelit, dhe përmendet se sistemin do ta menaxhojë ushtria amerikane.
Vendosja e THAAD-it në territorin izraelit do të ishte një hap shtesë në përgatitjet për një shkëmbim të ri zjarri midis Iranit dhe Izraelit, që pothuajse me siguri do të ndodhë nëse Izraeli vendos të sulmojë Iranin.
Çfarë është saktësisht THAAD?
Sistemi që amerikanët synojnë të vendosin në Izrael është në përdorim për një kohë të gjatë, dhe sipas një raporti të mëparshëm të Kongresit të SHBA-së, ushtria amerikane disponon me shtatë bateri THAAD. Secila përbëhet nga gjashtë lëshues në kamionë, 48 interceptorë, pajisje radio dhe radar, dhe për funksionimin e saj nevojiten 95 ushtarë.
Vetë sistemi THAAD (Mbrojtja e Zonës së Lartë Terminale) përfaqëson një sistem raketash që synon raketat balistike në fazën e tyre terminale.
THAAD kap dhe shkatërron raketën balistike në fazën e fundit të fluturimit të saj, qoftë brenda ose pak jashtë atmosferës së Tokës.
“Radari fillimisht zbulon raketën. Ata që menaxhojnë sistemin identifikojnë kërcënimin. Më pas, lëshuesi i montuar në kamion lëshon një projektil që Lockheed Martin e quan interceptues.”
Ndërsa raketat e THAAD-it mund të kapin objektiva deri në 200 kilometra larg, radari i tij AN-TPY-2 ka një rreze shumë më të madhe, deri në 1.000 kilometra.
“THAAD është i vetmi sistem amerikan i projektuar për të kapur objektivat brenda dhe jashtë atmosferës. Sistemi përdor teknologjinë Hit-to-Kill për të neutralizuar kërcënimin përmes një goditjeje të drejtpërdrejtë, duke e asgjësuar atë përpara se të arrijë në zonat e mbrojtura në tokë,” shprehet kompania Lockheed Martin.
Bateria e parë THAAD u aktivizua në maj të vitit 2008, ndërsa e shtata bateri u aktivizua nga ushtria amerikane në dhjetor të vitit 2016.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur këtë sistem në Guam dhe Korenë e Jugut, ndërsa radarë shtesë janë vendosur përkohësisht edhe në lokacione të tjera, përfshirë Rumaninë, Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraelin.
Vendosja e tij në Azi ka shkaktuar polemika të veçanta, dhe Kina ka shprehur shqetësime të mëdha duke thënë se THAAD ka një rreze veprimi që mund të godasë objektiva edhe në këtë shtet.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë kanë deklaruar më parë se THAAD përfaqëson një armë mbrojtëse dhe se gjithmonë vendoset për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara dhe interesave të vendit. /Gazetaere