Nëntëmbëdhjetë shtete amerikane kanë paditur Zyrën për Efikasitetin e Administratës Shtetërore (DOGE), e cila drejtohet nga miliarderi Elon Musk. Ato kërkojnë që presidenti Donald Trump t’i ndalojë Musk-ut qasjen në të dhëna të ndjeshme personale të miliona amerikanëve, siç janë numrat e sigurimeve shoqërore dhe llogaritë bankare.
Padia, e ngritur në një gjykatë federale në Nju Jork, pretendon se administrata e Trump-it i ka dhënë ekipit të Musk-ut qasje në sistemin qendror të pagesave të Departamentit të Thesarit, gjë që është në kundërshtim me ligjin federal.
Ky sistem menaxhon rimbursimet e taksave, pagesat e sigurimeve shoqërore, përfitimet për veteranët dhe shumë pagesa të tjera. Çdo vit, ai dërgon triliona dollarë dhe administron një rrjet të madh të dhënash personale dhe financiare të amerikanëve.
Zyra e Musk-ut është themeluar me qëllim zbulimin dhe eliminimin e asaj që administrata e Trump-it e konsideron si shpenzime joefikase të parave publike.
Qasja e DOGE-s në të dhënat e Departamentit të Thesarit, si dhe inspektimet e tij në agjenci të ndryshme qeveritare, kanë shkaktuar shqetësime të mëdha ndër kritikët për rritjen e fuqisë së Musk-ut. Ndërkohë, mbështetësit e Trump-it dhe Musk-ut e mirëpresin këtë veprim, duke besuar se ai do të ndihmojë në reduktimin e shpenzimeve të fryra të shtetit.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James, zyra e së cilës ka ngritur padinë, deklaroi se qasja e DOGE-s në të dhënat e Departamentit të Thesarit përbën një rrezik sigurie. Sipas saj, anëtarët e kësaj zyre mund të bllokojnë në mënyrë të paligjshme fondet federale.
“Kjo grupë e paemëruar, e udhëhequr nga njeriu më i pasur në botë, nuk ka autorizim për të pasur këto informacione dhe ka kërkuar qartazi këtë qasje të paautorizuar për të bllokuar në mënyrë të paligjshme pagesat nga të cilat varen miliona amerikanë – pagesa për kujdes shëndetësor, kujdes për fëmijët dhe programe të tjera të domosdoshme,” tha James në një mesazh video të publikuar nga zyra e saj.