Nëna e nënpresidentit amerikan JD Vance, Beverly Aikins, festoi 10-vjetorin e kthjelltësisë së saj gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë.
E rrethuar nga miqtë dhe familja, zonja Aikins mori të premten një medaljon në shenjë nderimi për dekadën e saj në procesin e rikuperimit nga varësia.
Këtë lajm e ndau edhe profili zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në rrjetet sociale.
Lufta e saj me varësinë nga droga dhe alkooli është përshkruar hapur në kujtimet e JD Vance, “Hillbilly Elegy”, si edhe gjatë debatit për nënpresidentin në tetor të vitit të kaluar.
“Jam rritur në një familje punëtore. Nëna ime, në periudha të caktuara të jetës, kishte nevojë për ndihmë. Gjyshja ime kishte nevojë për ndihmë sociale për të më rritur, pjesërisht sepse nëna ime luftonte me varësinë gjatë pjesës më të madhe të jetës sime së hershme.”
Aikins është rritur në një familje të dhunshme. Problemet e saj me varësinë filluan kur punonte si infermiere dhe merrte ilaçe kundër dhimbjeve për të lehtësuar migrenat. Më vonë filloi të përdorte opioidin Percocet, e në fund edhe heroinë.
Rikuperimi i saj filloi në vitin 2015. Pasi kishte jetuar në makinën e saj, u vendos në një komunitet banimi për njerëz në rehabilitim, dhe rrugëtimi i saj drejt shërimit u festua edhe nga Vance në momentin kur pranoi nominimin për nënpresident.
Gjatë fjalimit të tij, Vance tha: “Jam krenar që mund të them se nëna ime është sonte këtu, 10 vjet e pastër dhe e kthjellët. Të dua, nënë. Dhe e di që zyrtarisht do të jenë 10 vjet në janar 2025, por nëse presidenti Trump nuk ka kundërshtim, le ta festojmë këtë në Shtëpinë e Bardhë.”
Aikins tani punon si infermiere në një qendër rehabilitimi në Cincinnati.
Vëllai më i vogël i presidentit Trump, Fred Trump, kishte luftuar me alkoolizmin përpara se të ndërronte jetë në moshën 42-vjeçare. Kjo tragjedi familjare e ka frymëzuar presidentin amerikan që të mos konsumojë kurrë alkool në jetën e tij.
Në darkat zyrtare në Shtëpinë e Bardhë, presidenti ngre dolli me pije joalkoolike.