Po përshpejtohet ndërtimi i “qytetit më të mbrojtur në botë”: Rumunët investojnë më shumë para në projektin e NATO-s

Mediat rumune kanë zbuluar detaje të reja rreth ndërtimit të “qytetit më të mbrojtur në botë”, i cili do të ndodhet në bazën ajrore Mihail Kogălniceanu, një nga pikat më të rëndësishme të NATO-s në krahun lindor.

Sipas mediave të këtij vendi, qeveria ka ndarë edhe 2.5 milionë euro shtesë për ndërtimin e disa objekteve, ndërsa në këtë bazë-qytet do të strehohen edhe 10,000 ushtarë të NATO-s.

“Shuma prej 2.5 milionë eurosh do të ndihmojë në ndërtimin e çerdheve, spitaleve, dyqaneve dhe parqeve argëtuese. Këtu do të strehohen 10,000 ushtarë të NATO-s me familjet e tyre”, thuhet në raport.

Për shndërrimin e kësaj baze në një qytet të sigurt, siç është theksuar më parë, janë shpronësuar më shumë se 2,300 hektarë tokë bujqësore, dhe ndërtimi do të zgjasë pesë vjet.

“Shtegu aktual i pistës së aeroportit do të dyfishohet dhe do të ketë më shumë hangarë për avionë luftarakë dhe dronë të ndryshëm”, theksohet më tej.

Në pjesën jugore të qytetit të ardhshëm ushtarak kanë filluar tashmë punimet dhe po ndërtohen rrugët hyrëse dhe rrjeti elektrik me kapacitet të madh.

“Nga pikëpamja strategjike, zhvillimi i bazës sjell më shumë siguri për të gjithë rajonin e Detit të Zi. Për ushtrinë rumune, është një koncept i ri që të zhvillojë këtë aftësi këtu, si rezultat i asaj që ndodhi me Krimenë,” tha komandanti i bazës Nicolae Crecu.

Punimet e përgjithshme për zgjerimin e bazës aktuale do të kushtojnë 2.7 miliardë dollarë amerikanë, dhe është planifikuar që gjithçka të përfundojë deri në vitin 2030, kur baza do t’i dorëzohet plotësisht NATO-s dhe ushtrisë rumune për përdorim.

Kategoritë
BotaLajme