Për përdorimin e armëve të gjata, vetëm tri ditë stërvitje!
Kaq thotë se ka kaluar Ekremi, i cili është pjesëtar i gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës.
“Kjo është shumë pak për t’u aftësuar siç duhet”, sipas tij.
Ekremi – identiteti i plotë i të cilit është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë – ka kryer një pjesë të trajnimit në fillim të këtij viti.
“Një ditë kemi mësuar vetëm literaturë, të nesërmen kemi demonstruar dhe pastaj kemi dalë në gjuajtje. Personalisht, mendoj se duhet të ketë trajnime më të gjata – edhe jashtë plan-programit në akademi”, thotë ai.
Shkëlzeni, një tjetër pjesëtar i gjeneratës së 59-të të policëve, tregon po ashtu se është stërvitur vetëm tri ditë për qitjen me armë të gjata.
Ndonëse për të thotë se ato kanë qenë të mjaftueshme, ai shton se ka vënë re se shumë kolegë të tij nuk kanë arritur të mësojnë shumë.
Policia e Kosovës konfirmon se ka më shumë se një vit që ka ndryshuar planin e trajnimit profesional të policëve të rinj – nga gjashtë muaj sa ka qenë më herët, kohëzgjatja e tij është bërë tre muaj – gjë të cilën ekspertët e sigurisë e përshkruajnë si shqetësuese.
Në Inspektoratin Policor të Kosovës thonë se ka shtim të lehtë të ankesave për policët këtë vit.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në anën tjetër, thotë se ka bashkëpunuar vazhdimisht me Policinë, për të siguruar respektimin e standardeve ndërkombëtare, të cilat përfshijnë edhe shkurtimin e programeve të trajnimit.
Përse është shkurtuar kohëzgjatja e trajnimit?
Policia e Kosovës thotë se vendimi është marrë në përshtatje me “nevojat dhe kërkesat e saj operative”, por nuk ofron më shumë detaje rreth tyre.
“Modulet e parapara që të zhvillohen me kadetë policorë, janë fuzionuar dhe janë inkorporuar temat gjithëpërfshirëse, me ç’rast plan-programi i trajnimit profesional ‘zyrtar policor’ zhvillohet në kohëzgjatje prej 12 javësh, apo tre muajsh”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës për Radion Evropa e Lirë.
Në OSBE – misionin që me programe të ndryshme e ka mbështetur Policinë që nga themelimi i saj në vitin 1999 – thonë se disa prej arsyeve të këtij vendimi lidhen me “mungesat e përkohshme të personelit”.
“Marrë parasysh natyrën e ndryshimit, misioni është i gatshëm ta mbështesë Policinë e Kosovës derisa vazhdon t’i riorganizojë prioritetet e saj të stafit dhe operacionale”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.
Policia e Kosovës, aktualisht, ka 9.089 pjesëtarë, përfshirë edhe gjeneratën e 61-të, e cila ka dalë muajin e kaluar.
Burime brenda Policisë bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se me strategjinë e re të këtij institucioni, parashihet që numri i forcave policore të rritet së shpejti në mbi 10.300.
Policët e rinj trajnohen në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme të vendit.
Kjo akademi është akredituar nga Asociacioni Ndërkombëtar i Drejtorëve të Standardeve dhe Trajnimeve për Zbatim të Ligjit (IADLEST) i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Asnjëri prej dy institucioneve të lartpërmendura nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar zvogëlimin e kohëzgjatjes së trajnimit të policëve të rinj.
Në Policinë e Kosovës shprehen të bindur se trajnimi u mundëson kadetëve policorë të pajisen me njohuri të mjaftueshme për rregullat e sigurisë, si dhe për manipulimin me armët që përdoren nga ky institucion.
“Trajnimi për armë zjarri zgjat dy javë. Në të përfshihen armët e shkurtra dhe të gjata, sipas Ligjit për armë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Kadetët policorë i nënshtrohen testit me shkrim dhe testimit praktik në gjuajtje” dhe më pas “vlerësohen nga stafi trajnues në skenarë të ndryshëm”, thuhet po ashtu.
Për njohësit e sistemit të sigurisë, trajnimi prej tre muajsh i policëve të rinj është larg të qenët i mjaftueshëm.
Kjo situatë, sipas tyre, është duke shkaktuar edhe probleme në terren.
“Nuk besoj se jemi në ndonjë situatë emergjente për t’i përfunduar këto trajnime me kaq shpejtësi”, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, i cili tani shërben si kryesues i shqyrtimit të përdorimit të forcës dhe të armëve të zjarrit në këtë institucion.
Ai sugjeron që trajnimi për policët e rinj të zgjasë së paku gjashtë muaj ose më shumë, në mënyrë që ata të jenë të aftë për adresimin e situatave të ndryshme.
“Në disa fusha – me aq sa kam njohuri unë – bëhen vetëm dy apo tri orë trajnim për disa pajisje. Me ato orë, ku të shkohet në terren? Ku dhe si të përdoren ato [pajisje]?”, thotë Maliqi.
Sipas tij, ka një numër policësh – kryesisht të rinj – që hasin në vështirësi gjatë zbatimit të ligjit, për shkak të mungesës së njohurive të duhura.
Problemet më të mëdha thotë se lidhen me përdorimin e armëve, pasi koha e trajnimit për to është përgjysmuar – nga tetë orë sa kanë qenë për armë të gjata, janë bërë katër – dhe kjo “është shumë pak”.
“…sepse kemi vetëlëndime të policëve, të anëtarëve të familjes, por edhe të kolegëve, të cilët kanë pësuar për shkak të përdorimit të armëve jo siç duhet”, tregon ish-drejtori i Policisë.
Në Inspektoratin Policor të Kosovës konfirmojnë se, këtë vit, kanë regjistruar katër raste të shkrepjeve aksidentale të armëve nga policët, të cilat janë duke u trajtuar në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Të dhënat që ia siguroi Radios Evropa e Lirë ky Inspektorat, tregojnë se në nëntë muajt e parë të këtij viti, ai ka pranuar dhe ka menaxhuar gjithsej 1.524 ankesa për policët.
Prej tyre, gati 1.000 ankesa janë klasifikuar si shkelje disiplinore dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë për Hetime të Brendshme, ndërsa mbi 500 janë përcjellë në Departamentin e Hetimeve, nën dyshimet për veprimtari penale.
Në përgjigjen e Inspektoratit thuhet se, në krahasim me vitin e kaluar, ka një rritje të lehtë të numrit të ankesave për policë, por nuk specifikohet më shumë.
Në lidhje me shkurtimin e kohëzgjatjes së trajnimit të policëve të rinj, Inspektorati nuk deshi të përgjigjej, duke e referuar Radion Evropa e Lirë te Policia e Kosovës dhe tek Akademia e Kosovës për Siguri Publike.
Inspektorati tha vetëm se gjatë realizimit të inspektimeve në një numër stacionesh policore, ka hasur në situata ku përfshirja në kurset e ricertifikimit nuk ka qenë në nivelin e dëshiruar.
Në këto raste tha se “ka rekomanduar përfshirjen më të madhe të zyrtarëve në kurset e tilla”.Për këtë temë, Radio Evropa e Lirë kontaktoi edhe Ambasadën amerikane në Prishtinë, pasi SHBA-ja ofron trajnime të ndryshme për policët kosovarë, por ajo nuk u përgjigj./Radio Evropa e Lirë