Policia e Kosovës del me një sqarim: E ashtuquajtura zyra serbe për Kosovë po vazhdon të mashtrojë dhe të keqinformojë opinionin

Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim lidhur me një grabitje që ka ndodhur dy ditë më parë në rrugën Qeta e Minatorëve në Mitrovicë.

Sipas policisë, e ashtuquajtura zyra serbe për Kosovë, po vazhdon të mashtrojë dhe të keqinformojë opinionin lidhur me raste specifike të ndodhura në Republikën e Kosovës.

Në njoftim thuhet se kjo zyre, një rast të evidentuar si “grabitje” e vlerëson me elemente ndëretnike edhe pse ende nuk janë identifikuar personi/at e dyshuar. Rasti që i referohet është iniciuar sipas procedurave ligjore si “grabitje” dhe i njëjti është prezantuar në ‘Raportin 24 orësh të PK-së’ në mëngjesin e sotëm.

Policia thotë se lidhur me rastin janë duke kryer hetime intensive dhe nga hetimet preliminare del se ka qenë një rast siç është evidentuar “grabitje” dhe motivi ka qenë përfitimi pasuror, andaj nuk mund të ndërlidhet si rast me elemente ndëretnike.

Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimet e saja në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore, ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, përfshirë informimin e opinionit në mënyrë të drejtë me informata zyrtare”, thuhet në njoftim.

Në vijim keni rastin e publikur mëngjesin e sotëm në raportin 24 orësh: GRABITJE

Rr. Qeta e Minatorëve, Mitrovicë 25.08.2022 – 22:40. Viktima femër kosovare ka raportuar se gjersa ajo ishte duke qëndruar në shtëpinë e saj, aty kanë hyrë dy të dyshuar të maskuar dhe duke kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën kanë kërkuar nga ajo paratë. Si pasojë e sulmit fizik viktima ka pësuar lëndime trupore për çka dhe është dërguar në tretman mjekësor. Nuk raportohet për të arrestuar, rasti në hetime.

Kategoritë
LajmeVendi