Policia e Kosovës e pranishme në Tiranë – aty ku zhvillohet finalja e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit

Policia e Kosovës do të jetë pjesë e organizimit për rend dhe siguri në Tiranë, aty ku do të luhet finalja e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Feyenoordit.

Ndeshja që fillon në ora 21:00 në stadiumin “Air Albania”, do të jetë e mbikëqyrur në masa të rrepta nga Policia Shqiptare, por që aty do të jenë edhe disa zyrtarë policorë nga Kosova.

Në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se do të jenë disa pjesëtarë në Tiranë.

“Referuar bashkëpunimit të ndërsjellët në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë, si dhe referuar ndeshjes sportive e cila pritet të mbahet sot, Policia e Kosovës do të dërgoj disa zyrtarë policorë në Tiranë”, ka thënë ai.

Mbrëmë, në kryeqytetin e Shqipërisë u shënuan disa raste dhune mes tifozëve të të dyja ekipeve, por që kishte edhe qytetarë të rëndomtë të lënduar.

Lëndime pësuan edhe disa policë shqiptarë, ndërsa janë shoqëruar dhjetëra italianë e holandezë në stacionin policor.

Kategoritë
LajmeSport