Policia izraelite kreu një bastisje në dy librari të njohura në Jerusalemin Lindor, të cilat fokusohen në identitetin palestinez dhe konfliktin izraelito-arab, duke konfiskuar shumë libra.
Policët shkuan në dy libraritë me një urdhër gjykate për kontroll dhe arrestuan pronarin, Mahmoud Munu.
Gazeta Haaretz citon vëllain e njërit prej pronarëve, i cili pretendon se policët përdorën Google Translate për të përcaktuar cilët libra, shumica prej të cilëve në gjuhën arabe, duhet të konfiskoheshin.
“Morën çdo libër që nuk u pëlqente. Madje panë gazetën Haaretz me fotografi të të burgosurve, pyetën se çfarë ishte ajo dhe thanë se ishte nxitje për dhunë,” ka thënë burri i cituar, sipas Times of Israel.
Ai shtoi se policia mori çdo libër që kishte flamurin palestinez në të.
Në raport thuhet se pronarët janë formalisht të dyshuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike.