Policia keniane arreston qindra të akuzuar për plaçkitje gjatë protestave antiqeveritare

Protestat antiqeveritare kanë shpërthyer sërish në Kenia. Policia keniane tha se ka arrestuar më shumë se 270 persona të maskuar si protestues, të cilët dyshohet se kanë kryer aktivitete kriminale gjatë mitingjeve.

Plaçkitje dhe dëmtime pronash u raportuan gjatë demonstratave të udhëhequra nga të rinjtë në qytete të ndryshme anembanë vendit. “Forcat e sigurisë në të gjithë vendin veçuan të dyshuarit e gjetur të përfshirë në aktivitete kriminale nën maskën e protestës dhe i dërguan në paraburgim”, tha Drejtoria e Hetimeve Kriminale në një deklaratë të postuar në X.

Gjithsej, 204 të dyshuar u arrestuan në kryeqytetin Nairobi dhe 68 të tjerë në zona të tjera të vendit. Demonstratat filluan qetë, por më vonë degjeneruan në dhunë, duke detyruar policinë të lëshojë gaz lotsjellës ndaj turmave që hidhnin gurë, plaçkitnin dhe dëmtonin prona.

Protestat nisën, muajin e kaluar, kundër një projektligji financiar që përmbante një sërë taksash të reja që do të vështirësonte jetesën e njerëzve. Megjithëse, Presidenti William Ruto më vonë u tërhoq nga ky vendim, protestuesit tani po i bëjnë thirrje atij të japë dorëheqjen në një fushatë më të gjerë nën moton “RutoMustGo”.

Kategoritë
BotaLajme