Policia ndalon shtetasen serbe në Pejë, i mori 200 euro të humbura në një kafene

Policia është informuar nga viktima e rastit, sipas të cilit derisa ishte në një kafene në Pejë i kanë rënë nga xhepi të holla në shumën prej dyqind (200) eurove, viktima ka dyshuar se dikush i ka marrë këto të holla.

Sipas njoftimit të PK-së, ngjarja ka ndodhur më 23 maj 2022, rreth orës 17:05, në Pejë.

Mësohet se nga hetuesit në Pejë është bërë shikimi i kamerave të sigurisë së objektit, ku dhe është vërejtur një e panjohur, e cila shihet duke i marrë të hollat dhe duke u larguar me veturën e tipit “Opel” me targa të Malit të Zi.

“E dyshuara ka tentuar të kalojë në pikën kufitare në Kullë, por e njëjta është arrestuar. Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Pejë ka intervistuar të dyshuarën E.M., e lindur më 1971, shtetase e Serbisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje, bëhet e ditur se nga e dyshuara janë sekuestruar të holla në shumën prej dyqind (200) eurove, të cilat pas procedurave ligjore do t’i kthehen viktimës së lartcekur.

“E dyshuara pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të Shtetit, është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Kategoritë
LajmeVendi