Policia ndalon veturën e mbushur me kokainë në dalje të Prishtinës, vlera e “mallit” mbi 450 mijë euro

Policia e Kosovës mbrëmjen e djeshme ka zhvilluar një aksion në rrugën magjistrale Fushë-Kosovë- Prishtinë.

Gjatë këtij aksioni është ndaluar një veturë në të cilën janë hasur substanca narkotike.

‘’Policia e Kosovës, gjegjësisht, Drejtoria e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë, pas angazhimeve operative dhe hetimore në terren dhe në koordinim me institucionet kompetente ligjzbatuese, më 21.10.2024, në rrugën magjistrale Fushë Kosovë-Prishtinë, ka ndaluar një veturë të dyshuar për trafikim me substanca narkotike’’

Po ashtu është bërë e ditur se veturën e drejtonte një përson i dyshuar me inicialet Z.J. dhe se gjatë kontrollit janë gjetur 10 kg e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

‘’Gjatë operacionit policor të koduar “007”, Policia e Kosovës ka ndaluar një veturë të dyshuar me targa vendi, të cilën e drejtonte personi i dyshuar Z. J., shtetas kosovar, ku gjatë kontrollit të veturës së tij,në bagazh janë gjetur 10 kilogramë e 224 gramë, substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë, me vlerë të tregut 450.000 (katërqind e pesëdhjetë mijë euro)’’ thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin, në koordinim dhe me urdhër të prokurorit kompetent të krimeve të rënda, është kryer bastisje në shtëpinë e personit të dyshuar në Komunën e Graçanicës. Gjatë këtij operacioni policor në cilësinë e provave materiale janë sekuestruar:

 10 kilogramë e 224 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë,

 një veturë me targa vendore,

 1445 (njëmijë e katërqind e katërdhjetë e pesë euro),

 8970 (tetëmijë e nëntëqind e shtatëdhjetë dinarë),

 dy telefona celularë,

 17 (shtatëmbëdhjetë kartela grafike për prodhimin e kriptovalutave) të konfiskuara nga Dogana e Republikës së Kosovës.

Në konsultim me prokurorin kujdestar i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe është inicuar rasti për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve substancave psikotrope dhe analoge”.

Kategoritë
LajmeVendi