Policia e Kosovës ka nisur hetimet për posterët që janë vendosur në veri të Kosovës – në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut – natën mes së shtunës dhe së dielës, në të cilat shihet fotografia e Milan Radoiçiqit me mesazhin “Kthehu në Kosovë, vëlla – serbët nuk mund të vuajnë më”.
Fillimin e hetimeve e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Milan Radoiçiqi ishte nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, Lista Serbe, por dha dorëheqje pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj policisë në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, ku u vra një polic.
Policia ka bërë të ditur se “persona të panjohur kanë vendosur posterë në muret dhe dritaret e objekteve, si dhe shtyllat elektrike”, dhe se rasti është duke u hetuar.
Kësaj i ka paraprirë ngjitja e afisheve në Leposaviq, me foton e Radoiçiqit me gjak në fytyrë dhe mesazhin “Kush është Radoiçiq? Një patriot i rremë. I dyshuar për vrasje të shumta të serbëve në Kosovë. Pronari i një laboratori droge. Një kriminel që abuzoi me rininë tonë për pasurimin e tij. Terrorist”. Në fund të afisheve shkruhej “Thuaj JO organizatës terroriste (Lista Serbe)”.
Në lidhje me këtë rast, Policia e Kosovës ka deklaruar se prokurori ka vendosur se nuk ka bazë për hapjen e rastit.
Radoiçiqi është në listën e zezë të SHBA-së për përfshirje në krimin e organizuar ndërkombëtar dhe Kosova po e kërkon për frikësim në procedurat gjyqësore, ndërsa Prokuroria e Kosovës e lidh atë me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviq.
Në Kosovë sërish janë ngritur tensionet pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që nga 1 shkurti valutë e vetme për transaksionet e pagesave do të jetë euro, që nënkupton heqjen e dinarit serb.
Deri më tani, dinarët kanë ardhur në Kosovë nga Serbia përmes Bankës Kombëtare të Serbisë, e cila ka një kasafortë në Leposaviq, një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Dinarët janë përdorur nga Banka Postanske stedionice, NLB Komercijalna banka dhe Kompania Publike Posta e Serbisë.
Ky vendim i Kosovës u kundërshtua nga Serbia, ndërsa bashkësia ndërkombëtare kërkoi shtyrjen e zbatimit të tij me arsyetimin se ekziston shqetësimi se mund të ketë ndikim negativ te serbët e Kosovës.
Po ashtu, më 2 shkurt, në një aksion policor, autoritetet kosovare mbyllën tri komuna në Pejë, Istog dhe Klinë, të cilat funksiononin paralelisht në sistemin serb.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka njoftuar se në operacionin e policisë së Kosovës janë mbyllur Autoritetet e Përkohshme Komunale Serbe në Pejë, selia në Gorazhdevc, Istog – selia në Osojane dhe ato në Klinë – selia në fshatin Vidanje.
Këto organe punonin nën sistemin serb dhe janë ilegale për Kosovën.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar se më 2 shkurt në një operacion policor janë mbyllur tri komuna në Pejë, Istog dhe Klinë, të cilat kanë funksionuar paralelisht në sistemin serb dhe ka thënë se i vetmi institucion i Serbisë në Kosovë do të jetë ambasada e saj në Prishtinë.
Para kësaj, autoritetet kosovare mbyllën edhe katër komuna paralele serbe që vepronin ilegalisht në rrethin e Dragashit, në jug të Kosovës./REL