Policia përdorë gaz lotsjellës për shpërndarjen e serbëve lokal në veri

Policia paraprakisht njoftoi se “është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”

Policia e Kosovës, e cila po angazhohet në mbarëvajtjen e sigurisë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës pas emërimit të kryetarëve të rinj shqiptarë, është përballur me serbët lokal, transmeton Anadolu.

Policia paraprakisht njoftoi se “është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”.

Mediat kanë raportuar se disa serbë lokal janë mbledhur para ndërtesës së Komunës së Zveçanit, aty ku policia kosovare më pas ka hedhur gaz lotsjellës, ndërkohë që raportohet se janë dëgjuar edhe të shtëna armësh.

Gjithashtu njoftohet se më herët në komunat veriore janë dëgjuar edhe sirenat e alarmit, ndërsa ka pasur edhe djegie të veturave policore.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit u zgjodhën kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, si dhe këshilltarët e Kuvendit Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit, të cilët u betuan këtë javë.

Partia më e madhe serbe, Lista Serbe, e cila bojkotoi zgjedhjet, e ka kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve të rinj në këto komuna.

Për shkak të bojkotit të Listës Serbe, pjesëmarrja në votime ishte e ulët, respektivisht 3,47 për qind, gjë për të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “trysnia e drejtpërdrejtë nga Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejtë në daljen e ulët të qytetarëve serb në zgjedhje”.

Më 19 maj, Lista Serbe po ashtu ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për media në Mitrovicën e Veriut, ku nënkryetari i partisë, Igor Simiq, tha se qytetarët serbë janë të përkushtuar për paqe, por se më 1 qershor do të pasojë “një përgjigje vendimtare nga populli serb nëse nuk ndalet mohimi i të drejtave elementare të tyre”.

Edhe shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar) kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës për shkak se, sipas tyre, marrë parasysh bojkotin e zgjedhjeve nga Lista Serbe “ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira”.

Zgjedhjet në katër komunat veriore me shumicë serbe u mbajtën pasi që kryetarët paraprakë që vinin nga Lista Serbe dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për legalizimin e veturave me targa të lëshuara nga Serbia.

– Vuçiq i jep urdhër ushtrisë serbe për ngritjen e gatishmërisë luftarake

Siç raporton RTS, presidenti dhe komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka nënshkruar një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të njësive të FAS në nivelin më të lartë dhe i kanë urdhëruar ato të lëvizin urgjentisht drejt kufirit me Kosovën.

Kategoritë
LajmeVendi