Policia s’ka marrë informata për qentë e ngordhur nga helmi rrugëve të Mitrovicës Veriore

Për raportimin e mediumit “Kossev.info” për  helmimeve të qenve gjatë fundjavës në Mitrovicën e Veriut, Gazeta Express ka kontaktuar Besim Hotin nga Policia e Mitrovicës Veriore.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti, tha se nuk kanë pranuar informata për këtë rast, por në qoftë se ka informata do të marrin masa.

“Jo s’kemi pranu kurgjë në atë drejtim, por të shohim ndërkohë ndoshta marrim, por s’kemi pranu deri më tash kurgjë. S’ka pas njoftim lidhur me këtë, por do të shohim ndërkohë nëse ka diçka do të marrim masa, shohim ndërkohë”, tha Hoti për Gazetën Express.

Sipas, “Kossev”, qenë të ngordhur janë gjetur në disa lokacione të ndryshme të trafikut në qytet, madje edhe pranë njërës prej shkollave fillore, ka njoftuar Shoqata për Mbrojtjen e Kafshëve “Šapa”.Kjo shoqatë apelon qytetarët që të kenë kujdes sepse helmi i mbetur në rrugë nuk është i dukshëm si më parë, por është i pangjyrë. Ata gjithashtu treguan se kanë marrë informacione nga qytetarët që kanë pasur kontakt me helmin, se kanë vërejtur reagime të pazakonta në trup.

Kategoritë
LajmeVendi