Policia turke deklarohet në lidhje me rastin e vrasjes së liderit të “Klanit Skaljar” Jovan Vukotiq

Departamenti i Policisë së Türkiyes Kundër Trafikimit dhe Krimit të Organizuar (KOM) deklaroi se është e nevojshme të publikohen informacione të reja rreth rastit, për shkak të “dezinformimit të vazhdueshëm”

Jovan Vukotiq, lideri i Klanit kriminal Skaljar, i cili u vra në Istanbul më 8 shtator të këtij viti, kishte hyrë në territorin e Türkiyes me dokumente të falsifikuara me emrin Predrag Popoviq dhe për herë të pestë i ishte nënshtruar një operacioni për ndryshimin e fytyrës, njoftoi policia turke, Anadolu Agency (AA).

Departamenti i Policisë së Türkiyes Kundër Trafikimit dhe Krimit të Organizuar (KOM), i cili edhe më herët ka dhënë detaje në lidhje me liderin e Klanit Skaljar, Jovan Vukotiq, deklaroi se është e nevojshme të publikohen informacione të reja rreth rastit, për shkak të, siç thanë ata, “dezinformimit të vazhdueshëm”.

Policia turke rikujtoi se Vukotiq, i cili ishte banor i Serbisë dhe Malit të Zi dhe për të cilin ishte lëshuar fletarrestim i kuq, ishte kapur në Antalya më 8 shtator 2018 dhe dy ditë më vonë i ishte dorëzuar zëvendësministrit të brendshëm serb dhe pesë zyrtarëve shoqërues, me thes në kokë për shkaqe të sigurisë së delegacionit serb.

Më pas Vukotiq kaloi 15 muaj në burg në Serbi, ndërsa më pas u dorëzua në Mal të Zi, ku u lirua sërish pas një qëndrimi të shkurtër në burg.

Policia turke deklaroi se këtë informacion e ka marrë me shkrim nga shtetet përkatëse pasi Vukotiq u vra në një sulm të armatosur në Istanbul më 8 shtator të këtij viti.

Siç thuhet, “Vukotiq ka hyrë ilegalisht në Türkiye me pasaportë të cilën e ka marrë në Kosovë me emrin e rremë Predrag Popoviq, ndërsa më parë i është nënshtruar një operacioni për ndryshimin e fytyrës”.

Në operacionet policore të kryera më 12 dhe 13 shtator, në kuadër të hetimeve pas vrasjes së Vukotiqit, janë arrestuar 20 të dyshuar, ndër të cilët janë 13 personave u është caktuar masa e paraburgimit, përfshirë tre anëtarë të organizatës kriminale KAVAC.

Policia rikujtoi se forcat e sigurisë vazhdojnë aktivitetin e tyre në luftën kundër krimit dhe po punohet për kapjen e personave të cilët kanë statusin e të arratisurit, e për të cilët është konstatuar se janë arratisur në vende të ndryshme.

Në lidhje me këtë, në Türkiye janë ekstraduar 12 anëtarë organizatash kriminale nga Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Shqipëria dhe Gjermania.

KOM theksoi se incidenti në rastin e Jovan Vukotiqit nuk është kuptuar plotësisht.

“Jovan Vukotiq është arrestuar dhe deportuar në Serbi në vitin 2018 si rezultat i përpjekjeve tona, si pjesë e qëndrimit tonë të vendosur në luftën kundër organizatave kriminale transnacionale. Si rezultat i masave të marra në lidhje me këto organizata, ai ka hyrë ilegalisht në vendin tonë duke ndryshuar pamjen e fytyrës dhe ka marrë pasaportën e një shteti tjetër me emër të rremë”, tha policia turke.

Policia tha se krahas Jovan Vukotiqit, ka punuar edhe në lidhje me individë të tjerë të lidhur me shumë organizata të kriminale të cilët janë kapur dhe janë ekstraduar në vendet përkatëse.

Në fund policia shtoi se do të vazhdojnë me qëndrim të vendosur në luftën kundër krimit dhe kriminelëve, pavarësisht prejardhjes së tyre.

Vukotiq u vra më 8 shtator në lagjen Şişli të Istanbulit, ndërsa të shtënat fatale u qëlluan nga një sulmues nga motoçikletë e drejtuar nga një bashkëpunëtor tjetër. Vukotiq u vra në një veturë në të cilën në atë moment ndodheshin gruaja e tij, fëmija i mitur dhe shoferi, kurse asnjëri prej tyre nuk u lëndua.

Kategoritë
BotaLajme