Politika amerikane e “luftës kundër terrorizmit” përhapi islamofobinë në mbarë botën

Shtetet e Bashkuara kanë shpërndarë islamofobinë në mbarë botën, kurse tani Kina praktikon format më të tmerrshme të saj, siç janë kampet e përqendrimit dhe spastrimi etnik, thotë akademiku Khaled Ali Beydoun.

Khaled Ali Beydoun, akademik dhe autor që hulumton islamofobinë në SHBA, foli për Anadolu duke bërë vlerësime mbi rolin e SHBA-së në globalizimin në rritje të anti-islamizmit në Azi dhe Evropë.

“SHBA-ja ka shpërndarë islamofobinë në Azi, Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme dhe më gjerë, në një mënyrë shkatërruese”, tha Beydoun.

Teksa po afrohet 15 marsi, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Islamofobisë, profesori në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror “Wayne” tha gjithashtu se administrata amerikane përcaktoi një kornizë të re për identitetin musliman me retorikën e “luftës kundër terrorizmit” pas sulmeve të 11 shtatorit.

“Muslimanët sa më shumë që dukeshin si muslimanë, aq më shumë dyshoheshin se ishin të përfshirë në terrorizëm”, tha ai.

“Shtetet e Bashkuara nxorën një gjuhë të re kundër terrorizmit. Përveç kësaj, kishte një arkitekturë të re ligjore dhe policore që hyri në lojë, të cilën SHBA e projektoi dhe qeveritë në mbarë botën e miratuan, veçanërisht qeveritë që kishin një interes të veçantë për persekutimin e muslimanëve e adoptuan këtë gjuhë të re amerikane dhe adoptuan këtë paradigmë të re të policisë amerikane për të goditur popullsinë e tyre muslimane”.

Duke theksuar se fushata “lufta kundër terrorizmit” e SHBA-së është efektive në një zonë të gjerë nga Azia në Evropë, Beydoun tha: “Para 11 shtatorit, ujgurët që jetonin në Kinë nuk përkufizoheshin si terroristë, ekstremistë apo nuk ndërlidheshin me rrejte terroriste transnacionale”.

“Ujgurët më shpesh përshkruheshin si “separatistë, armiqësor, mashtrues dhe kriminelë”, por kjo gjuhë e re amerikane e terrorizmit i ka lënë qeverisë kineze duar të zgjidhura me pushtet të pakufizuar për të neutralizuar ujgurët sikur të ishin terroristë. E njëjta gjë vlen edhe për Indinë, Mianmarin, Suedinë, Francën, Britaninë e Madhe dhe gjithë botën”, tha ai.

– Pesë vendet me islamofobinë më të theksuar: Kina, India, Franca, SHBA, Mianmari

Duke cituar studimet e tij, Beydoun tha gjithashtu: “Para së gjithash, mund të them se më së rëndi është në Kinë, sepse Kina është një qeveri autoritare që praktikon format më të tmerrshme të islamofobisë, siç janë kampet e përqendrimit dhe spastrimin etnik. Duke u fokusuar te Islami, ky është një lloj spastrimi etnik që synon të shkatërrojë popullin ujgur përmes gjenocidit”.

Duke theksuar se India renditet e dyta në ndjenjat anti-muslimane, Beydoun tha: “Në Indi, e cila ka popullsinë e dytë më të madhe muslimane në botë, regjimi (i kryeministrit Narendra) Modi dhe Partia Bharatiya Janata (BJP) po përdorin supremacinë hindu si një mjet për të shkatërruar muslimanët në vend, dhe këtë e bëjnë në mënyra shumë të tmerrshme, duke përdorur Ligjin e Shtetësisë (i cili përjashton muslimanët), ndalimin e shamisë ose uzurpimin e shtetësisë së muslimanëve”.

Duke e vendosur Francën në vendin e tretë, Beydoun shtoi: “Unë do të thosha se Franca është e treta, sepse Franca ka paraqitur një lloj modeli i cili sikur është bërë si modeli perëndimor se si të shtypen dhe margjinalizohen muslimanët me anë të ligjit. Ne e shohim këtë në mënyrë më të habitshme në politika të tilla si ndalimi i shamisë. Franca promovon lirinë e besimit të muslimanëve, ndërsa shkakton dëmt me politikat e saj të zgjeruara, duke përfshirë shaminë”.

Profesori tha gjithashtu se pas Francës, vendi ku ndihet më shumë ndjenja anti-muslimane është SHBA-ja.

“SHBA janë katalizatori për ‘luftën globale kundër terrorizmit’ që ka shpërndarë dhe globalizuar islamofobinë me gjuhë anti-muslimane, ndoshta edhe më fuqishëm se çdo qeveri tjetër në botë. Sepse SHBA është një superfuqi, apo jo? Është shteti dhe qeveria më e fuqishme në botë, që pretendon të jetë një demokraci. SHBA ka eksportuar islamofobinë në Azi, Afrikë, Evropë, Lindjen e Mesme dhe më gjerë në një mënyrë shkatërruese”, tha ai.

Duke iu referuar situatës së muslimanëve Rohingya në Mianmar, Beydoun tha: “Ne nuk mund të injorojmë atë që po ndodh në Mianmar. Dhjetëra mijëra Rohingya janë vrarë dhe qindra mijëra prej tyre janë zhvendosur përmes spastrimit etnik në vend. Të gjitha fshatrat muslimane, qytetet dhe komunitetet janë shkatërruar nga qeveria e saj ushtarake budiste”.

– Media “mbështetëse e islamofobisë”

Duke folur për rolin e ligjit dhe medias në ngritjen e ndjenjave anti-muslimane në vitet e fundit, Beydoun tha: “Si profesor i drejtësisë, vërej se ligji është gjithmonë mënyra më efektive për të avancuar dhe përhapur islamofobinë. Ashtu si ligji i shamisë në Francë dhe Ligji për Shtetësinë në Indi”.

“Së dyti, media. Media i jep vrull islamofobisë duke përhapur ide negative, histori negative, stereotipe negative”, shtoi ai, duke shtuar se media është mbështetës i islamofobisë.

Duke potencuar se muslimanët të cilët diskriminohen, margjinalizohen ose vriten për shkak të ligjeve anti-muslimane, nuk mbulohen mjaftueshëm nga mediat, Beydoun tha: “Në librin tim të parë, kam shkruar se muslimanët i gjen nëpër lajme vetëm kur janë të këqij, jo kur janë viktima. Në fund të fundit, ekziston një terrorist musliman për të cilin flet çdo organizatë mediatike. A nuk është kështu? Pak media flasin për rastet kur muslimanët janë viktima të terrorizmit të tmerrshëm të sponsorizuar nga shteti në Kinë”.

– “Islamofobia është kombinim i frikës dhe urrejtjes”

Duke theksuar se “frika nga Islami” prodhohet qëllimisht nga politikanët në shoqëri, Beydoun vazhdoi:

“Islamofobia është një kombinim i frikës dhe urrejtjes. Politikanët duan të avancojnë interesat e tyre politike, ekonomike dhe gjeopolitike duke përdorur islamofobinë si mjet. Qeveritë e dinë se çfarë po bëjnë. Politikanët e dinë se çfarë po bëjnë kur përdorin islamofobinë si armë për mbështetje. Për shembull, ish-presidenti amerikan Donald Trump e ka shpallur islamofobinë si një armë. Ai e dinte se nëse do ta përdorte atë si një taktikë fushate, do të mobilizonte bazën e tij dhe do të merrte më shumë mbështetje për fushatën e tij”.

Beydoun tha gjithashtu se shoqëria perëndimore ka frikë nga Islami, thelbin e të cilit nuk e din, duke shtuar: “Ata e urrejnë Islamin sepse nuk dinë asgjë për të. Ka ide që Islami është i lidhur me terrorizmin, që muslimanët duan të pushtojnë dhe ndryshojnë kulturën evropiane, që muslimanët shtypin gratë, që muslimanët nuk kanë dëshirë të përshtaten në shoqërinë në të cilën hyjnë. Unë mendoj se kjo është arsyeja pse qytetarët e zakonshëm nga Franca, Britania e Madhe, Spanja, Italia dhe vende të tjera, urrejnë dhe frikësohen nga muslimanët për të cilët kanë pak njohuri”.

Kategoritë
BotaLajme