Politikanët italianë akuzojnë djalin e Donald Trumpit se ka gjuajtur ilegalisht rosa pranë Venecias

Donald Trump Jr., djali më i madh i presidentit amerikan Donald Trump, ka shkelur ligjet italiane dhe ato të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit, kur gjuajti rosa në afërsi të Venecias në dhjetor, pretendojnë dy deputetë të Partisë së Gjelbër.

Andrea Zanoni, anëtar i asamblesë rajonale të Venetos, dhe Luana Zanella, deputete, kanë paraqitur dy pyetje të ndara parlamentare, duke kërkuar nga autoritetet rajonale dhe kombëtare të ndërmarrin masa ndaj shkeljes së pretenduar.

Në një postim në Facebook të martën, Zanoni deklaroi se kishte parë një video ku shfaqej Trump Jr. gjatë gjuajtjes në zonën e mbrojtur të Bashkimit Evropian “Natura 2000” në lagunën e Venecias, ku ai qëndronte pranë një rose të ngordhur, e cila është një specie e mbrojtur.

“Videoja tregon Trump Jr. me një rosë të llojit Tadorna ferruginea në plan të parë, e cila është shumë e rrallë në të gjithë Evropën dhe mbrohet nga Direktiva e BE-së për Shpendët dhe nga ligji italian për mbrojtjen e faunës së egër. Vrasja ose mbajtja e kësaj kafshe dënohet me ligj,” tha Zanoni.

Në një video gati gjashtëminutëshe, për të cilën Zanoni bën referencë, Trump Jr. shfaqet duke gjuajtur rosa në kënetat pranë Venecias. Videoja ishte promovuar nga kompania Field Ethos, një firmë për aktivitete në natyrë, që ai e ka bashkëthemeluar.

“Ka shumë rosa të llojeve wigeon dhe teal,” thotë ai në video, duke përshkruar prenë e tij. Më pas përmend se kishte kapur një rosë “relativisht të pazakontë për këtë zonë” dhe e përshkroi si një “gjuajtje të jashtëzakonshme.”

Narratori në videon e Field Ethos shpjegon se ekspedita ishte zhvilluar në një tokë private, ku gjuetia kryhet vetëm një herë në javë, me masa të kujdesshme për respektimin e mjedisit lokal.

Videoja nuk përmban datën e saktë të krijimit, megjithëse një version i shkurtër i saj u publikua nga Field Ethos në YouTube më 31 dhjetor 2024. Mediat italiane raportuan se Trump Jr. kishte qenë në Venecia në dhjetor, së bashku me të dashurën e tij.

Ministri i Mjedisit, Gilberto Pichetto Fratin, dha një deklaratë për agjencinë e lajmeve ANSA, duke thënë se është në pritje të një raporti mbi incidentin e pretenduar, pasi ishte informuar për të përmes raportimeve në media.

Kategoritë
BotaLajme