Politikani serb kërkon ndalimin e hyrjes së Dodikut në Serbi: “Fëmijët tanë i quan erë të keqe”

Presidenti i Partisë Republikane, Nikola Sandulović, ka kërkuar ndalimin e hyrjes së presidentit të entitetit të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Srpska (RS), Milorad Dodik (SNSD), në Serbi.

Siç ka shpjeguar ai, revolta e tij është shkaktuar nga fakti se Dodik ka ardhur në Serbi dhe i ka quajtur studentët “erë të keqe”.

Në fotografinë e Dodikut që ai ka publikuar, është shkruar: “Persona non grata për shkak të bashkëpunimit në plaçkitjen e Serbisë dhe mbështetjes së regjimit që angazhon kriminelë për të shtypur studentët me makina. Duhet t’i ndalohet hyrja në Serbi.”

Fotografia e publikuar nga Nikola Sandulović

“Në historinë e Serbisë, kurrë më parë nuk ka ndodhur një precedent i tillë, që një kriminel, profiter lufte, kriminel lufte dhe një njeri i padenjë të vijë në Serbi dhe të fyejë fëmijët tanë përpara të gjithëve, duke kënduar ndërkohë një këngë idiote me fjalët: ‘Askush nuk mund të na bëjë asgjë’. Unë të garantoj se shumë shpejt do ta ndjesh nëse ekziston një serb i vërtetë nga Serbia, i cili, pas rënies së pushtetit tënd të ndyrë, do të të ndalojë që ndonjëherë të mund të shkelësh në këtë Serbi, fëmijët e së cilës i quan erë të keqe”, tha Sandulović.

Dodik, gjatë një tubimi të Partisë Përparimtare Serbe (SNS) në Sremska Mitrovica, deklaroi se nuk dëshiron të shohë askënd që dëmton Serbinë.

“Unë nuk i dua ata. Nuk e duroj as të drejtën e tyre për të menduar ndryshe nëse nuk e duan Serbinë dhe jetojnë këtu, por disi pajtohem me faktin se ata duhet të kenë një mendim tjetër”, tha ndër të tjera Dodik.

Kategoritë
LajmeRajoni